Morën peng një 22-vjeçar pasi u përplasën me makinë, në pranga 2 autorët në Tiranë
Njoftimi i Policisë:
Morën me forcë një 22-vjeçar dhe i hoqën lirinë duke e mbajtur në automjet, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, identifikohen dhe arrestohen 2 autorët e dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit se 2 shtetas kishin marrë me forcë, në automjet, një 22-vjeçar, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorëve të dyshuar përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat i veprimeve të shpejta të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, janë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorët e dyshuar, shtetasit:
– A. C., 18 vjeç, dhe A. D., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, pas një konflikti të çastit për një përplasje automjetesh, kanë marrë me forcë në automjet shtetasin E. G., 22 vjeç, duke i hequr lirinë atij, si dhe e kanë kanosur për dhënie pasurie. Materialet i kaluan Prokurorisë.