“Mos dekoro vetëm të majtët”/ Gjekmarkaj i përgjigjet Metës

I ftuar në “Politik On” në RTV Ora, pedagogu dhe analisti Agron Gjekmarkaj i është përgjigjur replikës së presidentit të Republikës Ilir Meta lidhur me dekoratat.

Alfred Lela: Presidenti Meta ju ka përmendur në një postim të gjatë në Facebook, që nuk lidhet me Veliajn, por me dekoratat…

Agron Gjekmarkaj“Kam shprehur bindjen time që presidenti është në të drejtën e tij të japë dekorata. Ia njeh Kushtetuta, por brenda kësaj njohjeje kam menduar dhe kam besuar dhe vazhdoj ende të besoj se ai po luan politikisht për ti spostuar një pjesë, nuk e di se sa, bazës elektorale të PS. Për ta tërhequr nga vetja dhe mbi të gjitha për ta shndërruar ligjërimin aktual të PS në një ligjërim anti-heroik të Luftës së Dytë Botërore, ose Luftës Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare, siç e quajnë. Po të vesh re, dekorimet e Metës kanë kapur ata që janë vërtetë heronj, por janë mite të së majtës si Vojo Kushi, Avni Rustemi, Vasil Laçi…

Nga ana tjetër, kemi ligjërimin e qeverisë që për të goditur presidentin godet dhe dekoratat. Unë e kam çuar edhe më tej spekulimin tim, le ta quajmë, dhe kam ftuar presidentin të dekorojë jo vetëm të majtët por edhe ata që i kanë qëndruar tiranisë si Abaz Kupi, Preng Cali, Llesh Marashi, Muharrem Bajraktari, Mark Llesh Gjokmarkaj, Abaz Ermenji dhe unë nuk e gjeta këtë përgjigje sot në përgjigjen e presidentit“.

“Vlerësimet e Presidentit të Republikës, do të udhëhiqen vetëm nga qëllimi për të forcuar ndjenjat kombëtare, atdhedashurinë dhe edukimin patriotik të gjeneratave të reja”, shkruante pasditen e sotme Meta në përgjigje të editorialit të Gjekmarkajt.

SHKARKO APP