“Mos përhapni panik!” Zv.ministrja e Shëndetësisë: Mos bëni politikë me koronavirusin
Duke iu përgjigjur akuzave të zyrtarëve të Partisë Demokratike, Zv/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha se janë marrë të gjitha masat për përballimin e rasteve të mundshme me koronavirusin dhe është përcaktuar karantina që plotëson të gjitha standardet.
“Në vijim të shfaqjes së disa rasteve sporadike të përdorimit të situatës me Koronavirusin për qëllime politike, Ministria e Shëndetësisë e konsideron përhapjen e panikut për këto qëllime, si të fundit gjë për të cilën kanë nevojë qytetarët në këto momente” shkruan Rakacolli përmes një statusi në facebook.
Postimi i plotë:
Një sqarim për qytetarët, në lidhje me situatën më të fundit të Koronavirusit.
Komiteti teknik me mjekë dhe ekspertë nga Instituti i Shëndëtit Publik, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, në bashkëpunim edhe me perfaqsues të zyrës së OBSH në Tiranë, në paketën e masave teknike për përballjen me COVID 19, që prej mbledhjes së dytë të tij, ka përcaktuar me vendim të posaçëm strukturën e karantinës.
Kjo strukturë përmbush të gjitha standartet e përcaktuara nga OBSH, në perputhje me rregulloren nderkombëtare të shëndetit.
Po sipas këtyre kritereve kjo strukturë vihet në funksion vetëm në bazë të një rregulloreje të miratuar, dhe vetëm në rast se do të jetë e nevojshme, ashtu siç e përkufizon OBSH.
Në vijim të shfaqjes së disa rasteve sporadike të përdorimit të situatës me Koronavirusin për qëllime politike, Ministria e Shëndetësisë e konsideron përhapjen e panikut për këto qëllime, si të fundit gjë për të cilën kanë nevojë qytetarët në këto momente.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton se Komiteti Teknik ka marrë të gjitha masat, siç është bërë e ditur dhe në komunikimet tona të përditshme, për parandalimin e shfaqjes së virusit, në përputhje me të gjitha rekomandimet që jep OBSH, me ekspertët e të cilës janë pjesë e Task- Forcës së ngritur, Komiteti Teknik është në komunikim dhe konsultim të vazhdueshëm.