“Mos po e tërheq vendin në luftë?”, Ermir Gjinishi tregon rreziqet e rezolutës së PS-së kundër Iranit
Analisti Ermir Gjinishi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV u shpreh kundër nismës së PS-së për të miratuar një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë që e shpall Iranin një sponsor të terrorizmit. Gjinishi tha se ky veprim nuk i shërben Shqipërisë dhe u shpreh se kjo mund të ketë edhe pasoja për vendin, nëse Irani hakmerret duke nisur një raketë në drejtim të Shqipërisë.
“Jam skeptik dhe kritik, puna është çfarë i vlen Shqipërisë? Zoti Nazarko tha i është kërkuar Shqipërisë. Kush e ka kërkuar? Nuk ka të dhënë për këtë. Kush e ka kërkuar? Nuk ka asnjë referencë. Ne dimë gjëra të tjera që nuk janë kërkuar fare Shqpërisë dhe kryeministri i ka bërë. Siç ishte përshembull vizita në Parlamentin e Izraelit.
Pra, nuk është kërkuar nga askush. E dyta, ti bësh elozhe Netanyahut, kur BE i ka mbyllur dyert për Netanyaun dhe e ka shpallur përgjegjës për krime kundër njerëzimit. Nuk ftohet në asnjë kancelari.
Kur flasim për aleanca, marrëdhëniet janë bilaterale. Kur flasim aleanca jonë me Izraelin, çfarë aleance kemi? Kemi marrëdhënie modeste dhe jemi krenarë për historinë e shkuar të Shqipërisë, mbrojtja e hebrenjve, por janë ata borxhlinj, jo ne. Edhe ajo ndihmë që mbahet si ndihmë e madhe kur njohu Izraeli Kosovën, e njohu me një ngërç të madh, e detyroi të njohë ambasadën ne Jeruzalem.
Jemi në një moment shumë rrëmujë në botë, Shqipëria vend i vogël duhet të jetë i kujdesshëm. Pse e shpall Hezbollahun, kur lufton për çlirimin e tokave të veta? Hezbollahu pranoi marrëveshje me Trump.
Pra shteti që serviret si viktimë nuk është viktimë.
A është politika e zotit Rama, unison me politikën e jashtme të BE? Ideja për t’u bashkuar me Trump nuk ka gjë të keqe pasi kemi krye aleat SHBA-të, por nuk do të thotë të futësh veten në mollë sherri.
Rezoluta e një parlamenti është qëndrim i një shteti. Përse kërkon të bëhesh gjigand kur je liliput. Çfarë rrezikon Shqipëria?
Irani ka kërcënuar Ukrainën. Pse? Sepse presidenti i Ukrainës ofroi dronë dhe specialistë Emirateve të Bashkuara Arabe. Me këtë rrëmujë dhe çmenduri në Teheran, me këtë karshillëk të panevojshëm, pa ta kërkuar askush, a mos po e tërheq vendin tënd në një luftë që nuk është e jotja?
Çfarë fitojmë ne nëse dikush simbolikisht nis një raketë atje?
Ne nuk jemi aleatë më të rëndësishëm se Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania për SHBA-të. Nuk e ka bërë asnjë vend i BE, kaq”- u shpreh Gjinishi.
KOHA JONË SONDAZH

