“Mos u bëni pjesë e protestave të paligjshme”, policia ndalon zhvillimin e protestës së qytetarëve
Një ditë pas protestës masive në Tiranë pas vdekjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i forcave të policisë “Shqiponja” policia ka nisur me procedimet dhe arrestimet e qytetarëve që protestuan për jetën e humbur të të riut. Policia ka njoftuar ditën e sotme se ka arrestuar 3 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë ndërsa 8 qytetarë janë shpallur në kërkim.
Me pretekstin e ndalimit të grumbullimeve dhe tubimeve për shkak të Aktit Normativ për parandalimin e Covid-19, policia u bën thirrje qytetarëve që të mos bëhen pjesë e protestave të paligjshme, pasi do të marrë masa dhe nuk do lejojë të zhvillohen protesta të tilla.
“Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematiken dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID -19.
Njëkohësisht Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos bëhen pjesë e protestave të paligjshme, pasi do të marrë masa dhe nuk do lejojë të zhvillohen protesta të tilla, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit do të përballen me forcën e ligjit”, thuhet në njoftimin e policisë.