Moti i keq “paralizon” vendin, kujdes nga stuhitë

Që prej mesditës së të martës reshje të shumta shiu dhe erëra të forta kanë përfshirë vendin, duke sjellë pezullim të lundrimeve në Durrës e Vlorë. Në Llogara e në disa akse rrugore janë rrëzuar shtyllat e tensionit të lartë dhe pemë, ndërsa lajmërohet se 48 orët në vijim do të jenë problematike. Për pasojë problematika janë shfaqur në disa rajone të vendit. Bregdeti është përfshirë nga erëra të forta me drejtim jug-lindje dhe forca e detit do të jetë 7 shkalla Boufort.

Kapiteneria e Përgjithshme ka vendosur pezullimin e lundrimit në Detin Adriatik për të martën, ndërkohë që në Vlorë tragetet nuk do të lundrojnë të paktën për dy ditë. Peshkarexhat dhe anijet e vogla të peshkimit janë urdhëruar të qëndrojnë në vendstrehime dhe të mos dalin në det të hapur ku forca arrin deri në 9 ballë dhe mbi 3 metra lartësi dallge. Probleme nuk ka vetëm në det por edhe në tokë. Rruga e Llogarasë u bë e pakalueshme në mesditë për shkak të rrëzimit të shtyllave të tensionit të lartë dhe pemëve. Rrëshqitje gurësh në rrugë pati edhe në aksin Elbasan-Librazhd pranë vendit të quajtur Kthesa e Murrashit, problematikë kjo që hasen sa herë ka reshje shiu. Ndërkohë në shumë fshatra të vendit raportohet për mungesë energjie për shkak të dëmtimit të rrjetit shpërndarës nga stuhia.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, vazhdon punën për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia në Lezhë dhe Llogora. ”Moti i keq i ditëve të fundit po shkakton dëme edhe në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Këtu jemi në Lezhë, ku grupet e avarive ndodhen në proces riparimi të fiderave Gjadër dhe Shënkoll-Tale. Stuhia këputi linjat dhe dëmtoi shtyllat, duke sjellë kufizime për banorët e zonave Balldren, Gjadër, Dajç, Mabe, Troshan dhe Kallmet”, shprehet OSHEE. Nga ana tjetër, OSHEE sqaroi se: ”Si pasojë e stuhisë janë dëmtuar disa shtylla duke nxjerrë jashtë funksioni fiderin R1 të Nst. Radhimë. Pa energji janë zonat Llogora, Dukat, Tragjas dhe Llogora. OSHEE, Vlorë po punon për normalizimin e situatës”.

SHKARKO APP