Moti i keq! Të enjten, vërshime lumenjsh e rrëshqitje dherash në Shkodër e Kukës

Instituti i Gjeoshkencave njofton se në orët në vijim, e gjatë gjithë ditës së enjte, pritet të ketë reshje të dendura shiu, ndërsa në disa zona, kryesisht në qarqet Shkodër e Kukës, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

“Reshjet priten të ndikojnë në disa pjesë të vendit tonë. Parashikimi nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave ‘IGJEO’ tregon se sot pasdite (e mërkurë, datë 17) dhe nesër (e enjte, datë 18) priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive shoqëruar me shtrëngata në qarqet Shkodër dhe Kukës.

Në qarqet Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokasër priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare. Nesër (e enjte, datë 18) do të ketë reshje me intensitet të lartë në veri dhe qendër të vendit.

Në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Në këtë kohë, bashkitë të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.

Ne ju kujtojmë se siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale.”, thuhet në njoftimin e Institutit të Gjeoshkencave.

SHKARKO APP