Moti në Kosovë drejt minus 20 gradë

Rënia e temperaturave ka bërë që gjatë orëve të fundit, reshjet e shiut të shndërrohen në dëborë. Meteorologët parashikojnë që gjatë orëve në vijim, Kosova të jetë nën ndikimin e masave të ftohta të ajrit me origjinë siberiane.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës, këto masa ciklonike do të ndikojnë në prishjen e këtij ekuilibri termik, i cili ka karakterizuar vendin gjatë tetë ditëve të fundit.

“Sipas parashikimeve sinoptike, reshjet e borës do të vazhdojnë gjatë fundjavës edhe në pjesën e parë të ditës së hënë. Karakteristikë e kësaj gjendjeje meteorologjike është edhe rënia e theksuar e temperaturave minimale, të cilat ishin parashikuar qysh më herët, por që besueshmëria për një çrregullim të madh të motit sipas parashikimeve të fundit gjithnjë është duke u rritur”, thuhet në komunikatën e IHMK-së.

IHMK-ja thotë se nga dita e shtunë dhe në ditët në vijim, vlerat e temperaturave minimale dhe maksimale do të jenë negative.

Nga dita e hënë e deri të premten, IHMK-ja parashikon që temperaturat minimale do të zbresin dukshëm diku nga -16 deri -19 gradë Celsius.

“Në bazë të paralajmërimeve meteorologjike se do të ketë borë dhe acar gjatë fundjavës dhe javës që vjen, Komuna e Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit”, thuhet në një komunikatë të kësaj komune.

Sipas komunës, në kushte atmosferike ekstreme vështirësohet pastrimi i rrugëve nga bora dhe akulli, prandaj Komuna e Prishtinës kërkon nga drejtuesit e makinave që t’i kenë të gjitha pajisjet dimërore siç janë të obliguar me ligj dhe të mos dalin të papërgatitur në rrugë, pasi bllokojnë qarkullimin dhe shkaktojnë kaos në qytet.

SHKARKO APP