Moti në vend, ARRSH: Vijon shpërndarja e kripës, akset rrugore të lira
Temperaturat e ulëta disa gradë nën zero kanë “pushtuar” vendin gjatë javës së fundit por Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se në të gjitha akset rrugore kombëtare qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht. ARRSH bën të ditur se po vijon shpërndarja e kripës në aksin Qafë Mali-Fierzë për të mbajtur të hapur rrugën për shkak të prezencave të akullit si pasojë e temperaturave të ulëta.
“Çdo ditë në punë për marrjen e masave dimërore që akset të jenë në kushte normale për qarkullimin, pavarësisht temperaturave të ulëta”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së. Me qëllim përballimin e situatës dimërore, që përfshin periudhën 15 nëntor-31 mars, është ngritur shtabi i emergjencës dimërore, për përgatitjen dhe marrjen e masave për sigurimin e mjeteve materialeve dhe stafit.
Sipas ARRSH-së grupi i punës është në terren për përballimin e situatës emergjente dimërore 24 orë në 24, në të gjitha segmentet, duke bërë të mundur që qarkullimi të vazhdojë normalisht në të gjitha akset kryesore të vendit, pavarësisht reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta.
Segmentet rrugore ku rekomandohen pjesërisht me zinxhir
Kuben-Vasije
Peshkopi-Qafë Draje
Peshkopi-Ushtelencë
Domaj-Draj Rec
Bulqizë-Fushë Bulqizë
Rajoni Verior
Gjatë natës problem kanë qenë temperaturat e ulëta dhe era e fortë. Në segmentin “Kuben-Vasije” ka pasur reshje bore 4-5 cm, shoqëruar me erë të fortë në formë cikloni. Qarkullimi realizohet normalisht dhe pa zinxhirë në të gjitha akset e e rajonit verior.
Rajoni Qendror
Në të gjitha akset e Rajonit Qendror qarkullimi kryhet normalisht. Vazhdon puna për spërkatjen me kripë në vendet ku ka akull e ngrica.
Rajoni Jugor
Në akset rrugore të Rajonit Jugor qarkullimi kryhet normalisht. Nuk ka pasur reshje gjatë natës. Temperatura deri në -7 ° në disa zona, si: Dardha dhe Qafa e Qarrit ku ka pasur dhe erë të fortë. Është punuar me kriposjen e akseve. ARRSH njofton se të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate dhe se po vijon puna për pastrimin e akseve dhe kriposjen në vendet ku ka ngrica dhe akull nga temperaturat e ulëta.