Motra e Egli Progës në protestën për vr@sjen e 14-vjeçarit: Nëna e autorit pse fshihet?
Një tjetër protestë u mbajt këtë mbrëmje për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani. Të pozicionuar para Ministrisë së Arsimit, qytetarët bëjnë thirrje për dorëheqjen e ministres pasi e bëjnë përgjegjëse për dështimin e sigurisë në shkollë, bashkë me hallka të tjera që nuk kanë funksionuar siç duhet. Mes protestuesve pjesë ishte edhe motra Egli Pogës, i cili humbi jetën pak muaj më parë, pasi u dhunua nga Denis Meçe, ngjarje e ndodhur në qytetin e Pogradecit. Në fjalën e saj ajo iu drejtua edhe nënës së autorit të vrasjes së Martinit, duke i thënë se duhet të dalë dhe të flasë.
”Ju tashmë më njihni, vazhdoj të jem motra e Egli Progës. Erdha sot për Martinin, çfarë zemre duhet të ketë një nënë që as nuk mallkon e as nuk kërkon hakmarrje për kasapin e djalit të saj. A ka njeri në Shqipëri të ma thotë? Florina vetëm vajton e vajton dhe nuk kërkon asgjë, e as drejtësi. Ku është Vilma Përleshi, nëna e vrasësit, përse nuk flet, pse nuk e përqafon Florinën që vetëm qan e qan dhe nuk fajëson askënd. Ku do gjeni ju prindër më të paqtë se prindërit e Martinit që u iki drita e syve dhe s’kërkojnë asgjë vetëm të ikin nga sytë këmbët nga ky vend?
Prindërit e Martinit duan të ikin jashtë Shqipërisë e të harrojnë këtë vend që është kthyer në vend krimi. Edhe familja ime iku nga Pogradeci i banditëve, erdhi në Tiranë se nuk mund të qëndrojnë në atë vend krimi. Edhe sa fëmijë të tjerë duhet të vriten me jataganë nëpër shkolla? Kush e rikthen Martinin në këtë jetë, jatagani i drejtësisë? Po Egli Progën kush do ta takojë me fëmijët e tij? Gjykata e Korçës që do dënojë maskarenjtë që e dhunuan pa asnjë shkak?
Unë jam këtu për të bërë thirrje publike, për ata që kanë fëmijë, vëllezër motra, prindër që jetojnë të pasigurt në këtë vend që është kthyer në skenë krimi; ngrihuni dhe mos lejoni më t’iu vriten të dashurit dhe të afërmit tuaj. Bëhuni bashkë! Të kërkojmë drejtësi hyjnore dhe jo juridike. Si do ta kërkojmë? Ja këtu do ta fillojmë, sot do kërkojmë përgjegjës moral për therjen e Martinit. Nuk janë prindërit e vrasësit përgjegjësit moral ata të hetohen si pronarë të jataganit. U them mësuesve që ju jeni vrasësit”.