Motra “molla e sherrit”, gardiani vret dy të rinjtë. Kallëzimi dhe dinamika e krimit

Krimi në Patos, ndonëse i paralajmëruar, u mbyll me dy të vdekur. Pasditen e së enjtes, të rinjtë Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj, 22 dhe 26-vjeç, u qëlluan për vdekje nga Martin Skëndaj, i cili u arrestua nga policia menjëherë pas ngjarjes që tronditi zonën. Mësohet se ai është gardian në burgun e Fierit dhe viktimat i qëlloi me armën e shërbimit.

Debati nisi me një përleshje me leva dhe përfundoi në Poliklinikën e Patosit me të shtëna me armë që rezultuan vdekjeprurëse për dy të rinjtë. Njëri nga viktimat ishte i lidhur me motrën e gardianit, marrëdhënie që Martin Skëndaj e kundërshtonte. Gardiani i burgut ka qenë në poliklinikë, për shkak të problemeve me krahun e tij. Kjo ishte edhe arsyeja se pse kishte munguar në punë. Dy të rinjtë dyshohet të kenë pritur në një ambient larg poliklinikës gardianin e burgut, ku sapo e kanë pikasur e kanë qëlluar me leva duke e lënë të plagosur. Nga kjo përleshje, Martini ka qëlluar ndaj djemve. Elis Kapaj mbeti i vdekur në vend, ndërsa Manol Rrapaj ndërroi jetë në spitalin e Fierit ku u transportua me urgjencë.

Tre ditë më parë viktima Manol Rrapaj kishte bërë kallëzim penal për gardianin Martin Skëndaj në Policinë e Fierit. Denoncimi i 26-vjeçarit erdhi pasi autori Skëndaj së bashku me babain e tij kishin shkuar për të debatuar me të duke pretenduar se Rrapaj i ngacmonte motrën. Sipas Manol Rrapajt në momentin që kanë shkuar për t’u sqaruar babë e bir kishin me vete edhe mjete prerëse. Pas denoncimin materialet i kaluan Prokurorisë së Fierit për kanosje.

Denoncimi nuk parandaloi tragjedinë, pasi gardiani vrau dy kushërinjtë Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj në derën e poliklinikës së Patosit. Konflikti nisi brenda poliklinës por përshkallëzoi më pas në derën e jashtme ku Skëndaj, me armën e shërbimit qëlloi ndaj tyre. 22-vjeçari Kapaj ndërroi jetë në vend, ndërsa 26-vjeçari Rrapaj fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital.

Komshinjtë e dy viktimave dhe autorit të ngjarjes së rëndë në Patos, janë shprehur se janë të shokuar nga ajo që ka ndodhur. Ata kanë pohuar se familjarët e viktimave por edhe të autorit ishin të qetë dhe nuk kishin konflikte të mëparshme mes tyre. “Janë djem të mirë edhe këto që vdiqën edhe ai që i qëlloi. Nuk e di pse ka ndodhur. Se ça kanë patur nuk e di. Se ka qenë konflikt i çastit se ka qenë i vjetër nuk e di”,-tha një banorë. Po me të njëjtat fjalë të mira shprehet edhe një banorë tjetër i zonës. “Të gjitha familjet të mira ishin. Konflikt kanë patur ca gjëra të vogla. Ata ishin të dy të mirë. Kaq di unë”,-tha banori. Një tjetër shprehet se kjo ngjarje është për të ardhur keq pasi, sipas tij kjo duhej shmangur. “E mirë ishte të mos kishte ndodh. Për të ardhur keq. Kanë qenë fmailje të mira, në punën e hallin e tyre. Nuk di gjë për konflikte. Se kam dëgjuar. E kemi dëgjuar nga njerëzit që kanë bërë llafe por jo që ta kem parë vetë. Punëtorë, djem në hallin e tyre”.

Redjon Shtylla /Koha Jonë/

SHKARKO APP