Motrës së Klodianit i bien të fikët nga gazi i hedhur nga Policia, mban flamurin kuqezi pranë vetes (FOTO)
Në mesin e mijërave qytetarë që po protestojnë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i Policisë së Shtetit, është edhe e motra e tij, Bora Rasha e cila ka ardhur nga Italia. Teksa ka dhënë deklarata për gazetarët, në një moment shihet që i bien të fikët nga gazi lotësjellës që ka hedhur Policia e Shtetit në drejtim të protestuesve.
“Dua një të drejtë nga shteti, dua të drejtën e vëllait tim. Për çfarë mu vra? Për çfarë nuk qëlloi në ajër. Kërkoj drejtësi për vëllanë tim, ne duam të drejtën për çfarë arsye është vrarë. Ka qenë djalë shumë i rregullt, nuk ka pasur armë. Kërkoj të dorëhiqet Edi Rama dhe Sandër Lleshaj. Nuk e prisja, kur kam marrë vesh se vëllai im është i vrarë, më thoshin se është arrestuar, kur ma kanë sjellë jam tronditur. Vëllai nuk ka pasur armë. Ishte i fejuar këtë vit do të bënte martesën. Ka qenë djalë i qetë. Vëllai u vra për një maskë. Çfarë është ky shtet?”, ka thënë Bora më herët.
Në duar e reja mbante një flamur kuqezi, duke u shprehur se e mbante për gjakun e vëllait të saj të vrarë. “E kam një flamur të kuq në dorë për gjakun e vëllait që më ka vdekur”.