Muaji i Ramazanit, Basha, Kryemadhi dhe Yuri Kim urojnë besimtarët myslimanë
Krerët e politikës shqiptare kanë uruar besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit që fillon ditën e nesërme.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha përmes një postimi në Facebook, shprehet se gjatë këtij muaji, sakrificës së agjërimit i shtohet edhe pamundësia për tu falur në xhamitë e mbyllura për shkak të pandemisë. Kreu i opozitës shpreson se sakrifica e agjëruesve gjatë këtij muaji shërbeftë për lehtësimin e dhimbjeve dhe sprovave me të cilat po përballen shqiptarët!
Një urim ka ardhur edhe nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
”Ndonëse në kushte të vështira prej pandemisë e distancimit fizik, uroj të mundësojë ky muaj i shenjtë më shumë lidhje shpirtërore me njëri-tjetrin, pasi ajo që kemi më së shumti nevojë dhe ajo që nuk mund të karantinohet kurrë është dashuria,” shprehet Kryemadhi në Facebook.
Edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri uroi besimtarët myslimanë.
”Le të vijë muaji i Ramazanit me gëzim, ta përjetojmë me përulësi dhe të dalim prej tij me dhembshuri më të madhe për njëri-tjetrin”, shkruan Yuri Kim në Twitter.