“Muajt në vijim do jenë shumë të vështirë”, përfaqësuesja e OBSH në Shqipëri: Moment kritik nga Covid-19
OBSH në Shqipëri shkruan në një postim në ‘Facebook’ se bota ndodhet në një moment kritik nga pandemia e koronavirusit.
Mes të tjerash, OBSH publikon mesazhin e përfaqësueses së saj, Dr. Bettina Mene, e cila thekson se “Muajt në vijim do të jenë shumë të vështirë dhe disa vende po ecin në në trajektore të rrezikshme”.
Mesazhi i plotë i OBSH:
Ne jemi në një moment kritik në pandeminë COVID-19, veçanërisht në hemisferën veriore, Përfaqësuesja e OBSh-së, Dr. Bettina Mene, ju tha pjesëmarrësve të një forumi shkencor që u zhvillua të mërkurën nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. “Muajt në vijim do të jenë shumë të vështirë dhe disa vende po ecin në në trajektore të rrezikshme,” nënvizoi ajo.
Në fjalën e saj përmes lidhjes virtuale në forum, Dr. Menne theksoi se “OBSh-ja nxit udhëheqësit që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të parandaluar vdekjet e panevojshme, bllokimin e shërbimeve mjekësore dhe mbylljen e përsëritur të shkollave.”
Pas një përditësimi të situatës së Covid-19 dhe prezantimit të punës dhe përpjekjeve të OBSh-së për të luftuar pandeminë e virusit, kreu i zyrës së OBSh-së për Shqipërinë u shpreh se “vaksinat, diagnostikimi dhe terapitë efektive do të jenë jetike për t’i dhënë fund pandemisë dhe për të përshpejtuar rimëkëmbjen globale.”
“Por këto mjete jetëshpëtuese do të jenë efektive vetëm nëse janë të disponueshme për grupet më në nevojë në mënyrë të drejtë e të barabartë, dhe njëkohësisht për të gjitha vendet,” shtoi ajo.
Forumi Shkencor, “Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 dhe përballimi i saj në Shqipëri dhe në botë,” trajtoi çështje kryesore të përgjigjes së bashkërenduar globale për Covid-19, shkencën pandemike, pasojat dhe masat e marra nga sistemet shëndetësore, si dhe rastin e pandemisë si një mundësi për rimëkëmbje ekonomike.