Muç Nano: Fshehja e numrit të të vdekurve nuk është krim. Mund të jetë bërë për të ulur panikun!

Analisti dhe gazetari Mustafa Nano e sheh të pavend ndërhyrjen e prokurorisë në lidhje me deklaratat e kreut të opozitës për fshehje dhe manipulim të vdekjeve nga Covid-19. Në studion e lajmeve në TvT, Nano tha se numri i viktimave mund të jetë më i madh sesa ai që është deklaruar, por kjo është bërë me qëllimin për ta shitur si sukses dështimin në menaxhimin e pandemisë.

“Nëse kryeministri gënjen, kjo do të thotë se kemi një problem politik, pra është bërë me qëllimin që historia e menaxhimit të Covidit të shitet si histori suksesi. Unë nuk marr pjesë në këtë diskutim, me duket e paarsyeshme që prokuroria të ndërhyjë. Situata e Covid është dramatike, do të jetë edhe më shumë nesër. Kur vjen puna te debati mbi numrin e të vdekurve, palët duhet të shtrohen pak. Jam i sigurt se numri është më i madh, por kjo ndodh pasi kryeministri ka rënë dakord me mjekët dhe ekspertët ta përkufizojnë të vdekurin në mënyrë që avantazhon qeverinë. P.sh. nuk fusin te ky numër njerëz me sëmundje bashkëshoqëruese që kanë qenë shkaktar i vdekjes. Por nuk besoj që numri del aq i madh sa thotë opozita. Ky nuk është krim që nuk përfshihet as në Kodin Penal dhe as Civil. Nëse ka ndodhur, është një lojë politike e maxhorancës, që dështimin ta shesë si sukses. Mund të justifikohet duke thënë që e bëra këtë për të ulur panikun te njerëzit”, tha ai.

Nano tha më tej se në funksion të propagandës së qeverisë, Rama përdor televizionin e tij online. “Ta mbyllë ERTV sespe nuk e beson asnjeri, as ai vetë nuk e beson. Ai është ngritur me qëllimin për të propaganduar arritjet e qeverisë. Nuk mund të quhet media”, tha ai.

Nano u shpreh se janë të paktë ekspertët që ekspertët e mjekësisë që flasin si të pavarur. “Lidhur me një lloj solidarizimi mes kryeministrit dhe mjekëve, ekipet e ekspertëve sido që janën nën hyqmin e kryeministrit kanë pavarësi të plotë. Këtu ata duket sikur janë zyrtarë të KM, sikur punojnë në kryeministri. Ka përjashtime, si Tritan Kalo. Në përgjithësi ekipi i mjekëve shihet i mobilizuar”, tha ai.

SHKARKO APP