Muka: Maskat nuk ulin infeksionin, Shqipëria të mos adaptojë masa kur nuk ka kapacitete
Mjeku epidemiolog, Taulant Muka, i ftuar në edicionin qëndror në Ora News, përballë gazetares Matilda Mcini, foli rreth situatës së COVID-19 në botë, duke e krahasuar edhe me atë se çfarë po ndodh në Shqipëri.
Për Mukën, vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm tek rastet e shtuara të infeksionit, por kryesisht tek manaxhimi i numrit të vdekshmërive.
Taulant Muka: Përqendrimi i vëmendjes nuk duhet të jetë vetëm në shtimin e rasteve. Ne duhet ta zhvendosim vëmendjen tashmë tek numri i personave simptomatikë, tek shtrimet dhe gjithashtu edhe vdekshmëria. Nëqoftëse shikojmë Suedinë, megjithëse ka raste të shtuara, shikojmë që niveli i vdekshmërive është i ulët.
Madje nga Janari në Shtator, vdekshmëria është më e ulët krahasuar me vitin 2013 dhe e njëjtë me vitin 2015. Besoj që alarmi nuk duhet të jetë si më parë. Në besimin tim, shikoj shumë veprime që po merren në botë, që të mos jenë tashmë të bazuara vetëm në shkencë, por të jenë edhe vendime politike, siç është edhe vendosja e maskave.
Suedia e ka arritur hospitalizimin dhe manaxhimine numrit të vdekshmërive, kjo për shkak të qetësisë popullore. Por sipas ish-zv.Ministrit të Arsimit, asnjë vend, madje edhe Shqipëria, nuk duhet të adaptojë masat e një shteti tjetër.
Taulant Muka: Suedia realisht nuk u nxitua dhe nuk u ndikua nga paniku. Duke parë numrat dhe në mënyrë të vazhdueshme aplikoi shkencën që po ndërtohet dhe mendoi në mënyrë afatgjatë në manaxhimine COVID. Sigurisht që mbyllja e një shteti vjen me pasoja të mëdha jo vetëm ekonomike, por edhe pasoja të mëdha shëndetësore.
Do të jetë shumë e vështirë që të kthehemi në një situatë ku ne mund ta çrrënjosim virusin. Suedia ishte shumë e prerë në vendimet që ndërmori dhe nuk kanë ndryshuar pothuajse asnjë masë që nga fillimi i pandemisë e deri tani. Është shumë e rëndësishme që çdo shtet të shikojë kapacitetet e veta dhe të bazohet në ato kapacitete që ka për të ndërmarrë masat, duke menduar në plan afatgjatë.
Taulant Muka theksoi se nuk ka vend për alarm, ajo që duhet është ndërgjegjësim dhe respektim masash.
Taulant Muka: Edhe në Shqipëri nëse shikojmë vdekshmërinë, nuk është se është rritur krahasuar me vitet e tjera. Në vitin 2014 vdekshmëria ka qenë ndër më të lartat krahasuar me vitet pasardhëse.
Prandaj nuk duhet të alarmohemi dhe të shikojmë numrat, por duhet të mundohemi të edukojmë dhe ndërgjegjësojmë shoqërinë që ca masa që janë me të vërtetë efektive, siç është larja e duarve, distancimi fizik në ambjentet e brendshme dhe moslejimi i grumbullimit.
Ndërkohë në botë ka vende që janë gjunëzuar përballë situatës që ka shkaktuar COVID-19. Për epidemiologun Muka, shkak kryesor është marrja e disa masave, siç është maska, që nuk kanë treguar efikasitet. Masa të cilat janë politike, e që tashmë po zbatohen edhe në vendin tonë.
Taulant Muka: Kjo është e pritshme sepse shoqëria është gjunëzuar. Njerëzve iu mungon jeta normale. Ata nuk mund të qëndrojnë në izolim gjatë gjithë kësaj kohe pasi nuk e dimë se kur do të dalë edhe vaksina. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë ato që kemi kapacitet dhe jo të imitojmë.
Nëse shikojmë grafikun ku janë Franca, Spanja, Italia, Çekia, janë shtete të cilat kanë aplikuar maskën, duke e menduar si një ndërhyrje efikase. Por po të marrim Suedinë, dhe vendet e tjera nordike, nuk kanë trende më të mirë se këto shtete. Pra nuk duhet të nxitohemi me marrjen e masave që nuk kanë rezultuar të jenë efikase, të paktën në komunitete.
Unë kam edhe një grafikë tjetër që bën rianalizim të të dhënave të një studimi, që thonin se maskat ndikojnë në uljen përhapjes së infeksionit.
Faktikisht autorët kishin bërë një analizim të gabuar të të dhënave pasi kishin vendosur të dhëna që kishin investiguar disa ndërhyrje, jo vetëm të maskave dhe rezultatin e tyre ia kishin atribuar vetëm maskave.
Dhe ky është një problem metodologjik. Riananlizimi i të dhënave tregonte që maskat nuk kishin asnjë efekt në uljen e infeksionit.