“Mund të merren të dhëna të rëndësishme si do të vijojë më pas”, Pipero: Lajm shumë i mirë, të hënën nis analiza serologjike me personelin
Mjeku Pëllumb Pipero, ndau dje në një lidhje në emisionin “Opinion” një lajm që sapo kishte marr. Është fjala për kryerjen e analizës serologjike, e cila tregon nivelin e antitrupave COVID-19 në gjakun e personave. Sipas Piperos, kjo analizë do të nisë të hënën me stafin e QSUT.
“Sapo më erdhi një njoftim që të hënën fillon analiza serologjike me personelin e QSUT dhe besoj edhe me personelin e COVID 2, për të parë ekspozimin dhe nivelin e mbrojtjes dhe për të ditur më shumë rreth situtës qarkulluese të virusit. Është një lajm shumë i mirë që duhet përshëndetur”, tha Pipero duke deklaruar që ky është një vendim I Ministrisë së Shëndetësisë.
“Besoj se në një javë analiza mund të merren të dhëna të rëndësishme për të marr vendime se si do të vazhdojë më pas”, u shpreh Pipero.
Kryerja e analizës serologjike, u sugjerua edhe nga ish-Ministri I shëndetësisë Leonard Solis, si një process që ndikon në identifikimin e personave që kanë patur kontakt me virusin.
Mjeku Pëllumb Pipero u shpreh optimist për situatën në Shqipëri, ndërsa tha se kurba ka qenë e qëndrueshme dhe sipas tij kanë ndikuar edhe masat që janë marr. Sipas Piperos, rënia e numrit të telefonatave tek 127 dhe rënia e numrit të personave të shtruar në spital, janë tregues pozitivë për situatën.
“Gjysmën më të keqe e kemi kaluar mendoj. Unë jam optimist në shumë aspekte dhe për mua dy janë indikatorë të rëndësishëm: numri i telefonatave tek 127 dhe numri i të shtruarve në spital. Dhe nëse karahas këtye shifrave në rënie do kemi edhe gjurmim të mirë të rasteve, atëherë gjithçka do të shkojë mirë”, u shpreh Pipero, që tha se është e vështirë të japësh parashikime të sakta lidhur me fundin e epidemisë. Megjithatë ai tha se në muajin Maj priten përmirësime të ndjeshme.