Mund të përsëritet 6 janari në SHBA? Flet ish-diplomati Nesho për Trump
Ish-diplomati Agim Nesho tregon nëse ka rrezik që të përsëritet 6 janari i vitit 2021, nëse Donald Trump arrestohet. Donald Trump pretendon se do të arrestohet i akuzuar për pagesën e jashtëligjshme të 130 mijë dollarëve te një aktore e filmave pornografikë, Stormy Daniesl, bërë në vitin 2016, në mënyrë që ajo të mos publikonte marrëdhënien e tyre intime.
Nesho mendon se gjërat nuk do të arrijnë deri në atë pikë: “Ka shumë faktorë që do ta pengojnë këtë gjë. Vetë republikanët i kanë bërë thirrje De Sanctis, Guvernatorit të Floridës, që të mos e ekstradojë Donald Trump për hapjen e një gjykimi në Nju Jork. Unë nuk mendoj që do të arrijë deri aty”. Sipas tij, tensionimi i mundshëm i situatës në SHBA nuk do të ndikojë në gjeopolitikë.
“Administrata duhet të jetë e fokusuar në aleancën Kinë-Rusi, tensionimi i brendshëm do të pengonte edhe vendimmarrjen në lidhje me politikën e jashtme. Mendoj që efekti do të jetë në shqetësimet reale që krijohen dhe në polarizimin e theksuar të dy anëve të politikës amerikane. Politikanët amerikanë do të përpiqen sa të jetë e mundur që të shmangin provokimet”, tha Nesho.