“Mundësia për të eliminuar Covid humbi në Mars”, mjeku Dasho: Ka vetëm dy rrugë, njëra kërkon masa më të ashpra
Mjeku Erion Dasho shprehet se dikush ka mbushur mendjen komitetit apo “të mëdhenjve” se COVID në Shqipëri mund të eliminohet, ndërsa me këtë argumenton masat e çuditshme dhe pa lidhje që sipas tij, që merren çdo fundjavë.
Sipas mjekut, mundësia për të eliminuar COVID humbi në mes të marsit dhe tani ka vetëm dy rrugë, dhe pasi sqaron cilat janë, pohon se masat dhe këshillat nuk duhen dhënë një ditë para futjes në zbatim të tyre.
Reagimi i plotë: Nuk mbarojnë gafat në historinë tonë me COVID!!! Dikush i ka mbushur mendjen komitetit apo “të mëdhenjve” se COVID në Shqipëri mund të eliminohet. Vetëm kjo shpjegon masat e çuditshme dhe pa lidhje që merren çdo fundjavë. Me shpresën se dy ditë lockdown imagjinar (pasi askush nuk e zbaton në praktikë, por përkundrazi) mund të prodhojnë një çudi dhe e hëna të na gjejë pa COVID!
KJO ËSHTË E PAMUNDUR!!!
Mundësia për të eliminuar COVID humbi në mes të marsit dhe tani ka vetëm dy rrugë: të mbahet transmetimi në nivele minimale (por kjo natyrisht kërkon masa shumë më të ashpra), ose te normalizohet jeta dhe të synohet të krijohet gradualisht imuniteti i grupit (duke mbrojtur të moshuarit).
ZGJIDHJE TJETËR NUK KA DHE ËSHTË E KOTË TË KËRKOHET! Madje as nuk ka nevojë, pasi që të dy zgjidhjet e mundshme janë të pranueshme dhe ku, natyrisht, preferohet e dyta.
Duhet të pushohet dhënia e mesazheve kontradiktore! Në fillim njerëzit u bënë lëmsh me oraret e qarkullimit të cilat kishte raste që ndryshonin disa herë në javë 5:00 me 11:00, 8:00 me 13:00, pastaj deri 17:30, pastaj deri 21:00. Gjobat në fillim vendosen, pastaj falen. Disa zona shpallen të gjelbra, pastaj mbyllen në fundjavë. Liqeni herë hapet dhe herë mbyllet. Plazhi diku lejohet dhe në plazhin ngjitur ndalohet. Maska diku kërkohet dhe diku nuk kërkohet. Asnjë rregull nuk komunikohet dhe zbatohet siç duhet. Anarki totale!!!
Sekreti është shumë i thjeshtë!
NË SE DËSHIRON QË PUBLIKU TË BINDET, MENDO NJË TAKTIKË ME OSE PA MASKA, ME OSE PA KISHË DHE XHAMI, ME OSE PA PLAZH, ME OSE PA LIQEN, ETJ. ETJ. POR NJË MESAZH QË KOMUNIKOHET DITËN E HËNË DHE JO DITËN E PREMTE NË DARKË PËR TË SHTUNËN NË MËNGJES, NJË MESAZH QË VAZHDON TË PAKTËN NJË OSE DY MUAJ DHE QË ËSHTË I LEHTË PËR T’U KUPTUAR DHE ZBATUAR!!!
Përndryshe, historia jonë me COVID do të vazhdojë ashtu si i do qejfi virusit dhe dëmi shëndetësor, social dhe ekonomik do të vijë duke u rritur dhe thelluar…