“Mundi i 30 viteve”, familja në Thumanë nuk e gëzoi dot banesën e re: Të vijnë ta rrafshojnë se po na rrezikon
Ndonëse e kishte planifikuar të fuste kokën për festat e fundvitit në shtëpinë e re, një gëzim i tillë nuk i ka buzëqeshur Asllan Gjikolës në Thumanë. Banesa e tyre trekatëshe është shembur, madje ajo është mënjanuar nga forca e tërmetit.
“Është mundi i gati 30 viteve”, thotë Asllani për “FaxNews”, i cili ka punuar në emigrim gjithë kohën me gruan dhe fëmijët për të ndërtuar shtëpinë e re. Nëna e tij 82-vjeçare përlotet nga kjo që i ka ndodhur dhe nuk shpreson tek ndonjë mrekulli që shtëpia e saj do të ndërtohet si më parë.
Ndërsa me stërmundim ndërtuan këtë shtëpi, tashmë halli i madh i tyre është të shembet nga specialistët, pasi kjo rrezikon dhe banorët. Kërkesat për rrafshimin e banesës së dëmtuar nuk po realizohen, ndaj dhe ky mbetet problem për familjen e Asllan Gjikollës në Thumanë.