Mungesa e të birit sot në SPAK, Berisha: Manovër e skapistëve të partisë me Shkëlzenin
Pas kaosit që krijoi me deputetët që e mbështesin para derës së Kuvendit këtë të enjte, Sali Berishashkoi në selinë blu dhe u pyet nga gazetarët për mungesën e të birit, Shkëlzen Berishës në Prokurorinë e Posaçme ku është thirrur për të dhënë shpjegime për tragjedinë e Gërdecit. Berisha akuzoi SPAK-un se po bën politikë me çështjen dhe se familjarët e kanë kuptuar këtë.
“Është thjesht një manovër e turpshme e skapistëve të partisë sepse Shkëlzen Berisha është thirrur për këtë çështje kohë më parë në SKAP, ka dhënë çdo përgjigje, ka lënë aty adresën fizike dhe elektronike. Ka lënë adresën fizike dhe elektronike. Por ata kanë preferuar të bëjnë më shumë politikë sesa ta njoftojnë pasi thirrja e tij aty është një akt i mirëfilltë politik.
Në mënyrë absolute nuk ka asnjë lloj lidhje me asnjë akt, proces, moment të asaj drame që ka ndodhur. Zero! Dhe ai ka dhënë shpjegime. Ata e dinë që nuk kanë asnjë lidhje, madje familjarët e kanë kuptuar se këta po bëjnë politikë me hetimet e tyre. E vërteta është se familjarët për politikë nuk janë të interesuar. Ata kanë problemin e tyre.
Ka një njoftim që ka bërë Shkëlzen Berisha, në të cilin ai ka sqaruar se nuk është njoftuar se ai të dy adresat, atë fizike dhe atë elektronike nuk i ka ndryshuar dhe i ka lënë në SKAP. Po ta marrësh për serioz një organ që funksionon në parimet e vjetra të policisë sekrete, funksionon si grupe kriminale të strukturuara, nuk duhet marrë seriozisht”, tha Berisha në lidhje me këtë çështje.