Replika me Andrea Stefanin/Mustafa Nano: Pse kërkoj ikjen Kryeministrit Edi Rama

Analisti i njohur, Mustafa Nano, shkaktoi jo pak reagime në rrjetet sociale kur kërkoi gjatë një interviste largimin e Edi Ramës.

Shumë shpejt atij iu përgjigj një tjetër analist, Andrea Stefani, që e kritkon se duke kërkuar largimin e Edi Ramës, bën punën e Sali Berishës.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Nano thotë se është i fundit që kërkon rikthimin e Berishës në pushtet.

“Askush nga ne, as Andrea dhe as unë, nuk kemi fuqi të sjellim në pushtet Berishën. Këtë fuqi e ka vetëm Rama. Për sa më takon mua, unë nuk jam i gatshëm, megjithatë, që dëshirën time që Berisha të jetë në opozitë, Rama ta përdorë si një smokescreen për të fshehur horllëqet e veta”.

Pasi e kritikon ashpër Ramën për miratimin e ligjit të mbetjeve, Nano thotë: “Por nuk është vetëm kjo”.

“Rama ka bërë gjëra më të rënda. Dhe më e rënda është se ka krijuar një klikë të tijën, që në një masë të madhe është e njëjta klikë e vjetër që sundonte edhe në kohën e Berishës”.

Sipas Nanos, zgjidhja është te largimi i Ramës. “Nuk jam për rrotacion. Ç’rrotacion? Po të sillnim sërish në pushtet Berishën, do të ishte njësoj si t’i thoshim botës sde jemi një popull i sëmurë nga demencia. Prandaj shosh si zgjidhje që socialistët të largojnë Edi Ramën”.

“Se kush vjen në krye, nuk e di. Por mos më thoni se nuk ka kush ta zëvendësojë. Kushdo mund të zëvendësojë një kryeministër që ka harruar se është zgjedhur për të qeverisur. Dhe në çdo rast do të jetë më mirë”.

Intervista/ Nano: Rama nuk di ç’të bëj me pushtetin. Jo rotacion

Z.Nano, ka shkaktuar debat thirrja juaj e fundit publike ndaj socialistëve për të larguar Kryeministrin Rama. Ju njiheni si mbështetës i Ramës në opozitë, por edhe gjatë këtyre tri viteve në pushtet nuk jeni shfaqur shumë kritik ndaj tij. Ishte akti i fundit i qeverisë për lejimin e importit të plehrave që ju bëri të ndryshoni mendim, apo është një ide që e keni pjekur më parë?

Zëri im para disa vitesh, më shumë se mbështetës për të, ka qenë kritik për palën tjetër. Por nëse doni të më kualifikoni si mbështetës të Ramës në opozitë, bëjeni! Jemi OK. Nuk prishemi. Qoftë edhe indirekt, ai e ka pasur mbështetjen time. Ndërsa, për sa u takon tri viteve të fundit, jam shfaqur shumë pak në publik. Shkrime pothuaj nuk kam bërë asnjë, por reagimet e mia kritike e denoncuese ndaj qeverisë e ndaj Kryeministrit nuk kanë munguar.

Puna është se i kam shprehur në programin tim “Zululand”, në një televizion online, “TemA TV”, që tani ka filluar të bëhet i njohur. Sidoqoftë, nuk kam qenë ndër më kritikët ndaj Ramës e ndaj maxhorancës. Këtë medalje le ta mbajnë të tjerët. Nuk kam qenë aq kritik sa disa të tjerë, ngaqë nuk kam parë arsye të isha. Dy vitet e para të kësaj maxhorance, nuk kanë qenë të këqija. Shenja të keqpërdorimit të pushtetit dukeshin, por marrë në tërësi dy vitet e para kanë qenë të vlerësueshëm.

Ka qenë aq e vërtetë kjo sa kundërshtarët e tij, përfshirë edhe disa gazetarë që kishin paralajmëruar kohë të këqija nën hyqmin e Ramës, zunë të bëhen nervozë, ngaqë nuk po u dilte llafi tamam. Rama i ka lëshuar frenat vetëm vitin e fundit. Nuk di çfarë ka ndodhur konkretisht. Nuk besoj se e ka kondicionuar aleati i tij, Ilir Meta.

LSI-ja është ajo që është, e sikur kjo parti të mos ekzistonte, punët do të kishin shkuar më mirë në këtë vend, por duhet thënë se Ramës LSI-ja nuk i është bërë pengesë. Ramës i kanë dalë nga kontrolli gjërat dhe mendon se çdo gjë zgjidhet duke marrë nën kontroll median, duke u bërë favore disa biznesmenëve, që deri dje ishin me Berishën, duke marrë në mbrojtje ministra e zyrtarë ose idiotë, ose të korruptuar, duke i kopsitur gjërat me Metën e duke garantuar fitoren e zgjedhjeve tok me LSI-në dhe zgjedhjet do t’i fitojë. Kjo është e sigurt, sepse pala tjetër s’ekziston.

Por kjo fitore nuk ka për t’iu dashur as dreqit. As atij. Ai, kjo është frika ime, nuk di se ç’të bëjë me pushtetin. E kërkon atë, do ta ketë të pakufishëm, por nuk dihet se për çfarë e do. Kapardisjet di t’i bëjë, sidoqoftë. Trillet e tij të vanitetit di t’i kurojë mirë. Edhe kur pozon e harxhon orë të tëra me Arrigo Saçhi-in e Carlo Ancelotti-n në Kryeministri! Me siguri, këta të fundit janë duke pyetur veten edhe sot e kësaj dite: Po pse vallë Kryeministri i një vendi duhet të na priste e duhej të rrinte me ne disa orë të mira? E kushedi se ç’përgjigje japin.

Këtë apel tuajin, analisti Andrea Stefani e ka cilësuar si një thirrje për të rikthyer Sali Berishën në pushtet, të cilin edhe ju vetë e cilësoni “bandit delinkuent”. Stefani e kundërshton idenë tuaj për largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë, sepse në këtë mënyrë do të pengoheshin reformat shtetformuese e mbi të gjitha zbatimi i Reformës në Drejtësi. Si e vlerësoni këtë reagim të kolegut tuaj, Stefani?

Unë jam i fundit që duhet të më bëhet akuza se dua të risjell në pushtet Berishën. Dhe Andrea është i pari që e di këtë. Përveç kësaj, askush nga ne, as unë, as Andrea, nuk kemi fuqi të sjellim në pushtet Berishën. Këtë fuqi e ka vetëm Rama. Për sa më takon mua, unë nuk jam i gatshëm, megjithatë, që dëshirën time që Berisha të jetë në opozitë, Rama ta përdorë si një smokescreen për të fshehur horrllëqet e veta, apo si licencë për të bërë ç’i do qejfi, pa pyetur fare për askënd e për asgjë. Para tri vitesh e kundërshtoi ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Madje, ishte gati t’i vinte flakën vendit nëse ai ligj miratohej. Premtoi se do ta shfuqizonte atë ligj. Dhe nën orgazmën e fitores së pushtetit e shfuqizoi shpejt e shpejt. Tani, pas tri vitesh, na e miraton fshehurazi, larg çdo debati, në formë blitzkrieg-u, duke na kapur të gjithëve në befasi. Nuk ka asnjë studim të bërë që do të justifikonte këtë gjë. Ka vetëm një pretendim se industria e riciklimit që ekziston na paska mbetur pa punë. Në gjithë këtë histori, lëri të tjerat, por ky të bën të të duket vetja si budalla. Unë isha me Ramën atëherë.

Duhet të jem me Ramën sërish? Gjë që s’bëhet.

Por nuk është vetëm kjo. Rama ka bërë gjëra më të rënda. Dhe më e rënda është se ai ka krijuar një klikë të tijën, që në një masë të madhe është e njëjta klikë e vjetër që sundonte edhe në kohën e Berishës. Hiq këta që bilbilosin nga Shqupi sot, të tjerët janë ata që ishin. Klika është e palëvizshme.

Dhe Rama do që gjithë Shqipërinë ta vërë në shërbim të kësaj klike. Korrupsioni që po bëhet është në përmasa të frikshme. Andrea do fakte dhe unë personalisht do të tentoj, nëse mundem, të vihem edhe në gjurmë të fakteve korruptive. Por, sidoqoftë, nuk besoj se ka nevojë të priten faktet e mia. Një gjëje që i ndihet kutërbimi, nuk ka nevojë ta prekësh për t’u bindur që ekziston.

Kur u bëni thirrje socialistëve për të larguar Ramën, a keni parasysh një ose disa figura të mundshme brenda PS-së si kandidatë për Kryeministër, apo jeni për rrotacion në zgjedhjet e ardhshme të 2017-s?

Jo, nuk jam për rrotacion. Ç’rrotacion? Po të risillnim sërish në pushtet Berishën, do të ishte njësoj si t’i thoshim botës se jemi një popull i sëmurë me dementia. Prandaj, shoh si zgjidhje që socialistët të largojnë Ramën. Nuk do të doja që edhe socialistët të bënin atë që bëjnë gjithë kohën demokratët, d.m.th. të ngatërrojnë (njëjtësojnë) interesin e vendit me interesin e një të paudhi.

Dhe në këtë mënyrë të hedhin në greminë partinë, e më keq akoma, vendin. Se kush vjen në krye, këtë nuk e di. Por mos më thoni se “nuk ka kush ta zëvendësojë”. Kushdo mund ta zëvendësojë një kryeministër, që ka harruar se është zgjedhur për të qeverisur. Dhe në çdo rast do të jetë më mirë.

Po një Edi Rama që vendos të bëjë ndryshime, e të bëjë atë që presin njerëzit, do ta mirëprisnit?

Unë do ta mirëprisja, sigurisht. Mbi të gjitha, ngaqë kjo do të ishte provë se ai i ka duart e lira. Por kam frikë se vetëm kjo nuk mund të ndodhë. Rama, dhe ky është fakti më i dhimbshëm, nuk i ka duart e lira. Edhe kreun e një institucioni qeveritar që ka dështuar nuk e heq dot. Ja, nën presion, hoqi nja dy këto ditë, dhe u gjeti fët e fët nga një vend tjetër pëllumbash. Qeverisja e tij, përsëris, është një klikë e mbyllur dhe e korruptuar.

Sot, pas tri vitesh, a mendoni se ishte e drejtë thirrja juaj për “bashkimin e qelbësirave” për të hequr me çdo lloj çmimi Berishën nga pushteti, përderisa ju thoni se preferoni më mirë një “bandit delinkuent” sesa një të “kapur nga delinkuentët” si Rama?

Absolutisht, po! Është një nga gjërat më me mend që kam thënë ndonjëherë. Sikur të më thoshin se po krijohet një arkiv i veçantë, që do të ruhet për shekuj me radhë, ku secili prej atyre që kanë mbajtur qëndrime publike, do të duhet të zgjedhë vetëm një qëndrim për ta futur në këtë arkiv, dhe sikur të më kërkonin edhe mua të zgjidhja një qëndrim timin për këtë arkiv, unë do të zgjidhja pikërisht këtë qëndrim.

Mua më vjen keq që ka ende shqiptarë që nuk e kuptojnë se në vitin 2013 ka ndodhur një gjë e madhe. Një gjë fantastike. Kemi larguar nga drejtimi i një vendi një motherfucker. Më vjen keq edhe që në shoqërinë shqiptare ka një kompleks subordinimi kur vjen puna te qëndrimi ndaj tij.

Shikojeni se ç’ndodh! Ka tre vjet që ka humbur zgjedhjet, që i ka humbur ato në mënyrë spektakolare, ka tre vjet që bën si gore në Parlament, ka tre vjet që mban peng partinë demokratike dhe askush nuk i bën dot as kritikën më minimale. Të gjithë i qurraviten, deputetët, aparatçikët e Partisë Demokratike, kryetari i PD-së po se po, gazetarët që e kanë për zanat t’i atashohen partisë, por edhe gazetarë që mbahen me të madh si opinionistë nacionalë.

Dhe jo vetëm kaq. Edhe kritikët e lidershipit të Partisë demokratike nuk mungojnë t’i përcjellin herë pas here sinjale dashurie e solidariteti. Majlinda Bregut nuk i erdhi asnjë çikë turp kur na kujtoi këto ditë se ajo kish qarë kur Berisha ka dhënë dorëheqjen. Edhe hajde prit hair nga Majlinda!

Të vjen për të vjellë nga këta njerëz. Për dëmet që i ka bërë vendit ky njeri do të flitet mirë kur ai të qërohet nga politika. Atëherë do të flasin edhe ata që s’kanë gojë sot. Por për ta njohur se kush është, nuk ka nevojë të presësh kaq shumë. Nuk ka nevojë as të dish se ç’ka bërë. Është mjaft ta shohësh në Parlament një ditë të enjte dhe ti e kupton se kush është. “Panorama”

Shkrimi i Andrea Stefanit 

Me Saliun kundër Edit ?! Letër Mustafait

Andrea Stefani/Që kur Edi Rama doli në krye të PS, nuk mund të pritej që Sali Berisha të mos ndërmerrte një kryqëzatë shpifjesh kundër tij. Eshtë në natyrën naziskine të Berishës që të sulmojë me të gjitha armët atë që e shikon si kundërshtarin më të rrezikshëm. Ai ka përvetsuar taktikën e Fyhrerit për të “…vjellë një rrjetë zjarri, gënjeshtrash dhe shpifjesh ndaj kujtdo kundërshtari që duket më i rrezikshëm derisa nervat e personave të rrënohen dhe që të fitojnë përsëri qetësi, sakrifikojnë personin që urrehet”.

Kanë pasur sukses kryqëzata të tilla kundër Fatos Nanos ndaj Saliu, ka shpresa se një gjë e tillë mund të përsëritet me Edi Ramën. Prandaj, ai vetë nga foltorja e Kuvendit (ku tolerohet me pash në shkelje të rregullores) nga facebook-u, nga mediat e vëna në shërbim të tij, vjell vrer kundër Ramës duke e paraqitur si Al Kapone, si kreun e mafies jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan!

Akuzat janë groteske, fare të pafaktuara, shkurt, janë po ato “fjalët e kazanit” që Saliu villte dikur kundër Fatos Nanos por që më pas, kur e pati grurë me Fatosin, tha se qenë “fjalë kazani”. Pra, nuk ka asgjë për t’u marrë serizosht në këto akuza të shpifësit më të madh në historinë e këtij vendi. Dhe duket se shumica e opinionit nuk i merr seriozisht. Zgjedhjet në Dibër ishin një provë për këtë.

E megjithatë, orteku i shpifjeve berishiste po ka edhe ndikimin e vet. Socialistët duhet të largojnë Edi Ramën – apelonte në një shkrim Mustafa Nano. Po përse duhet ta bëjnë një gjë të tillë socialistët? Sepse, vjen përgjigja, Rama është i korruptuar, se ka ngritur një qeverisje të korruptuar, se situata i ka dalë jashtë kotrollit, se qeveritarët kanë ca marrëdhënie të çuditshme me ca njerëz që i rrethojnë, por edhe me biznesmenë por, zakonisht edhe me njerëz që janë përfshirë në krimin, se  situata qenka më dramatike se kurrë në Shqipëri. Ashtu?! – pyesim. Edhe më dramatike se viti “97, se shtatori ’98, se 21 janari 2011? Përveç kësaj, nuk gjej në akuzat e mësipërme asgjë më shumë se “fjalët e kazanit” të Saliut.

Nuk e di se ç’fakte posedon Mustafai për të gjitha këto që shkruan dhe akuzon, por nëse do akuzoja kryeministrin se është i korruptuar, do preferoja të kisha një fakt të vetëm të përfshirjes së tij drejtpërdrejtë në një korrupsion. Sepse, që në një qeverisje ka korrupsion kjo nuk mund të ekskuldohet për asnjë qeveri të botës dhe aq më pak, në një vend si Shqipëria ku drejtësia nuk ka nisur të bëjë ende punën e saj dhe prevalon pandëshkueshmëria. Por kjo, nuk na jep të drejtë të bëjmë lidhje të shkurtra duke akuzuar kryeministrin si të lidhur me korrupsionin. Nuk është një kryeministër, edhe pse ka rolin e tij edhe në këtë rrafsh, që e ndëshkon korrupsionin por një sistem institucionesh që nuk ekziston në Shqipëri. Dhe, deri më sot, unë nuk kam parë a dëgjuar, edhe nga kundërshtarët e tij më të egër, që të mund të ofrojnë një fakt korruptimi të Ramës. Vetëm fjalë, hamendësira, shpifje.

Nuk kam as më të voglin dyshim se të gjitha këto që shkruan Mustafa Nano i mendon si të tilla, pa asnjë motiv apo nxitje të pandershme. Pikërisht pse besoj në integritetin e tij, të stërprovuar kaq e kaq herë në gjithë këto vite, kërkoj të më jepen fakte që gjërat janë pikërisht ashtu. E dua Mustafain, por më shumë dua të vërtetën.

Ndërkaq, nuk mund të pajtohem kurrsesi me opsionin e zgjidhjes që Mustafai ofron: Berisha është një bandit delinkuent – shkruan ai, dhe në anën tjetër kemi Edi Ramën që ndoshta nuk është bandit delinkuent por është peng i banditëve delinkuentë. Prandaj, kokludon Mustafai, “…është më mirë të qeverisemi nga një bandit delinkuent, se të paktën e dimë se kush është, sesa një njeri që nuk e ka veten në dorë”.

Shkurt, Nano na propozon që të qeverisemi përsëri nga Berisha, nga banditi delinkuent, na propozon që të zgjedhim si shpëtim të keqen më të madhe! Dhe mos të gënjejë mendja njeri, sa kohë që Saliu është në SHQUP, gjithçka do të jetë nën hyqmin e tij, PD dhe çdo qeverisje e PD. Sepse ajo është një parti e ndërtuar mbi “Fyhrerprizip”. Mund ta maskojë lidershipin e Berishës me lloj-lloj lulkash, por ai do te mbetet deri në fund lidershipi i Saliut.

Të kërkosh sot largimin e Edi Ramës është të bësh punën e Saliut. Me vjen keq ta them por, në këtë rast, antiberishisti dhe antiautokrati i vendosur Mustafa Nano, ka hyrë në një sinkron thuajse të pandërgjegjshëm me Saliun. Po kërkon pikërisht atë që Saliu ka kaq vite që e lakmon. Sot më shumë se kurrë. Përse?

Ethja e tij lidhet me momentin politik. Tërbimi i Saliut nuk ka të bëjë me qeverisjen. Kundër saj unë kam dëgjuar nga goja e tij dhe e larove te tij vetëm shpifje. Nuk them se ndaj kësaj qeverisje nuk mund të formulohen kritika. Edhe për korrupsionin. Por duhen faktuar dhe jo të ecet me “fjalë kazani” se qenka më simpatike (populiste) për gazetarin të jesh në opozitë me qeverinë. Gazetaria duhet të jetë në radhë të parë në opozitë me gënjeshtrën. Edhe kur kjo e fundit është në opozitë. Dhe PD ka degraduar në një parti të gënjeshtrës. Ndaj t’i bësh opozitë një qeverie me gënjeshtra, siç është provuar se bën Berisha që fotot e kanabisit kolumbian i paraqet si foto të kanabisit shqiptar, është të tradhëtosh të vërtetën.

Ndërkaq, duhet kuptuar se tërbimi i vërtetë i Saliut ka të bëjë me reformën në drejtësi. Me avancimin e saj. Prandaj, flet për zgjedhje të parakohëshme deri edhe për revolucion “demokratik” që mund të shpërthejë në një moment të papritur. Eshtë vënë ethshëm në kërkim të një diçkaje të dhunshme, destabilizuese, të mjaftë që të ndërpresë procesin.

Jemi në një nga ato momente kur duke ndjerë rrezikun që i avitet, Berisha është i gatshëm të vërë në funksion një nga ato intrigat e tij që paraprin grushtin e shtetit të 14 shtatorit. Edhe atëherë ndjehej i kërcënuar nga fillimi i hetimit për krimet e vitit ’97. Prandaj do tentojë gjithçka. Sepse, ashtu si me të drejtë shkruan Nano, ai është një bandit delinkuent, madje edhe më shumë, që nuk ndalet para asgjëje për të ndalur reformën në drejtësi.

Dhe nuk ka mjet më të mirë për të bllokuar reformën në drejtësi se të ndërrosh qeverinë pra, edhe vullnetin politik për reformën duke sjellë në pushtet një force politike që është kundër reformës. Eshtë fakt, që ndërsa Berisha dhe PD kanë dalë hapur kundër reformës në drejtësi, Edi Rama ka qenë politikani që ka mbajtur qëndrimin, e njohur kjo edhe nga ndërkombëtarët, më të vendosur dhe të palëkundur për të çuar përpara reformën në drejtësi. Si ka mundur ta bëjë këtë gjë nëse do të ishte i kapur nga banditë delinkuentë? Për mua, tërbimi i të korruptuarit dhe kriminalizuarit Berisha ndaj Ramës, nuk është një provë për kriminalizinin apo korruptimin e Ramës. Një provë të vetme po të kishte Saliu kundër Ramës, do tundte dynjanë. Por nuk e ka. Prandaj vë në lëvizje shpifjen.

Kori i shtuar i zërave kundër Edi Ramës sot është, në shumicën e rasteve, i nxitur nga ajo botë që nuk do ardhjen e drejtësisë në Shqipëri. Të largosh sot Edi Ramën, përveç se bie ndesh edhe me bilancin e punëve dhe reformave shtetndërtuese, do të thotë t’i japësh një goditje vullnetit politik për reformën në drejtësi, që është shansi i fundit që Shqipëria të dalë nga këneta e korrupsionit dhe mafias ku e kanë zhytur prej 26 vitesh banditë delinkuentë të politikës. Do të thotë t’i bësh të keqen më të madhe Shqipërisë.

Nëse ka një dramë që përjeton sot Shqipëria është pikërisht fakti që ka akoma në krye të opozitës (largqoftë t’i ketë përsëri në pushtet!) politikanë si Berisha dhe Basha që edhe pse i kanë duart të zhyera me gjak, edhe pse janë deri në fyt të pasuruar me korrupsion, edhe pse e kanë përdhunuar lirinë dhe demokracinë duke e bërë të ngecë, çirren e ngjirren për “dekriminalizim”, për  “liri e demokraci”. Ky është avantazhi i pandëshkueshmërisë që këta të pandëshkuar po e shfrytëzojnë në maksimum dhe prej të cilëve, vetëm reforma në drejtësi mund të na shpëtojë. Gazeta “Dita”

SHKARKO APP