Mustafa Nano: Rama është bërë shumë i fuqishëm , ndaj monitoruar me kujdes

Sesi do të përcillen marrëdhëniet mes dy vendeve, ata gjykojnë se prapë do të hyjë në lojë Perëndimi. Rajoni ka nevojë për mbështetje ekonomike dhe financime në kushtet e një krizë dhe një dorë nga kancelarja Merkel si financuese kryesore mund të fusë në lojë liderët e Shqipërisë dhe Serbisë, sikundër mbarë Ballkanit Perëndimor.

Analistët dënojnë ashpër dhe qëndrimin radikal të kreut të Serbisë Nikoliç dhe refuzimin e tij për një takim me Ramën.E ndërsa gjithçka që ndodhi në Beograd mbeti aty bashkë me emocionet patriotike në mbarë trevat shqipfolëse, analistët i druhen kredibilitetit patriotik të Ramës për politikën e ditës në Shqipëri.

Pjesë nga opinionet në Tonight Ilva Tare

Afrim Krasniqi: Përveç datës historike që pas kaq vitesh shkohet në vizitë zyrtare në Beograd, nuk ka pasur ndonjë thyerje dhe ndonjë ndryshim drastik në marrëdhëniet dypalëshe. Nuk e di se kush kanë qenë pritshmëritë e palës shqiptare, por në raport mes dy palëve përveç thyerjes protokollare nuk ka pas asnjë lloj elementi tjetër. Palët kanë shkuar i kanë thënë njëri-tjetrit se çfarë ata mendojnë për problematikën e rajonit, dhe ne e kemi ditur që në Tiranë se çfarë ata mendojnë për rajonin. Marrëveshjet e firmosura ishin minimumi i mundshëm që ndodh në vizita të tilla, ku normalisht pritej shumë më tepër. Është një vizitë e kushtëzuar dhe negociuar nga Perëndimi deri në momentin e fundit.Tradicionalisht në Ballkan ndodh që vendet takohen jo se duan, por se detyrohen për shkak të projektit integrues. Edhe marrëdhëniet dypalëshëe më shumë janë dominuar nga kjo e dyta. Nga pala shqiptare patëm një sjellje shumë formale, korrekte por në raportin me Serbinë nuk ka ndryshuar asgjë.

Artur Zheji: Pritshëmëria për këtë takim ishte shumë e vogël sa i përket mbërritjes së një rezultati. Shtyrja e vizitës, debati pararendës, deklaratat agressive të Presidentit Nikoliç që donte ta pengonte me çdo kusht, tregonin një klimë të ngrirë, një frigorifer që punonte për të prodhuar akull, mundësisht ti ndërrojë mendja Kryeministrit shqiptar. Rama zgjodhi opsionin për të shkuar duke e ditur vetë ai se vetë të shkuarit ishte lajm. Kemi një gjendje të re marrëdhëniesh. Ai demostroi përmes vizitës ,që me serbët është ende e parakohshnme të flasësh për shkrirje akujsh. E dyta Rama demostroi në Beograd se politika e jashtme e Kosovës dhe Shqipërisë është një politikë e përbashkët për çështje strategjike. E treta, në mënyrë eksponenciale rriti popullaritetin e tij për arsye se aleati kryesor i tij ishte kundërshtari, armiku. Papjekuria e moshës, natyra tepër emocionale e Vuçiç, bllokimi psiqik që ai pati kur iu përmend pavarësia e Kosovës e bëri më të nderë situatën, më qesharak Kryeministrin serb. Rama bëri golin që kombëtarja shqiptare nuk e bëri dot në stadiumin e Beogradit. Shqiptarët po bëhen një popull më gjeopolitik, po ndjejnë vlerën e kufinjve. Rama e bëri edhe për interesa lokale, dhe ky nuk është mëkat për një politikan, por i doli një lojë më e madhe nga çfarë e kishte menduar.

Mustafa Nano: Ne duhet të bëjmë një përpjekje për të mirëkuptuar serbët në qëndrimet që mbajnë. E kemi më të lehtë të jemi më europianë sepse nuk kemi gjyle nëpër këmbë, nuk kemi një shkop nga Brukseli mbi kokë. Ata kanë problemin e Kosovës që nuk po shkëputen dot, nuk po del një lider i fortë që t’ia artikulojë popullit se Kosova nuk është më problem i tyre. Nuk e kam ditur që mediat serbe kanë qenë kaq talebane në një kontekst të tillë që është i qartë. Pamë ndeshjen e futbollit, ku më ka mbetur në mend ajo turmë e madhe në stadium që ishin të gjithë me duar përpjetë. Ajo ka një problem si shoqëri, duhet vaksinuar nga denacionalizimi i vet. Rama ka zgjedhur qëllimisht një formë të tillë për ta shprehur, nuk është se tha një gjë të madhe, as nuk tentoi të përfaqësojë popullin e Kosovës. Ai vetëm apeloi që ndriçohuni. Këtë Kosovë bëni mirë ta njihni. Por Rama kishte zgjedhur mënyrën e fortë, arrogante. Ndoshta ka qenë i vetëdijshëm që Vuçiç ka pasur dobësi të vetat në përformancën publike, sepse Vuçiç reagoi si një politikan i pastërvitur, si fëmijë. Më ka ardhur dhe keq, sepse Rama është kthyer më një kredencial të jashtëzakonshëm patriotik. Një lider kaq i fortë duhet mbajtur pak në binarë tani, sepse bën vaki që këtë forcë ta shfrytëzojë për tjetër gjë, mund të bëhet dhe i rrezikshëm këtu në Shqipëri. Ai doli dhe sot u përball me studentët në protestë para selisë, nuk ndodh në praktikën e komunikimit mes udhëheqësve dhe popullit. Rama duhet monitoruar një çikë tani.

SHKARKO APP