Muzhaqi: Forcojmë mekanizmat për pjesëmarrjen e të rinjve në politikëbërje

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi prezantoi sot para komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit, disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për rininë”. Ministrja Muzhaqi theksoi se nevojitet rishikimi i ligjit dhe ky është një proces që ka nisur që në vitin 2022 dhe ka vijuar gjatë gjithë këtyre viteve përmes konsultimeve me të gjitha grupet e interesit.

“Nga të gjitha konsultimet dhe rishikimi i ligjit pikat që kishin nevojë për të ndryshuar dhe përmirësuar më tej janë në gjashtë aspekte: Forcimi i mekanizmave ligjorë që garantojnë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset politikëbërësve dhe vendimmarrëse në nivel vendor e qendror; forcimi i mekanizmave që sigurojnë gjithëpërfshirjen e të rinjve shqiptarë; parashikimi i mekanizmave ligjorë për zbatimin e politikave të reja dhe mbështetjen dhe aktivizimin e të rinjve, si dhe forcimi i mekanizmave ligjorë për vendosjen e standardeve dhe rritjen e cilësisë në shërbimet rinore”, tha Muzhaqi.

Po ashtu, sipas ministres nevojitet edhe rregullimi i disa parashikimeve ligjore si dhe harmonizimi me një numër rezolutash të BE-së. Ndërsa renditi disa ndryshime në unifikimin e procedurave të përzgjedhjes së të rinjve në Këshillat Rinorë, ministrja theksoi se një aspekt shumë i rëndësishëm për të cilin do të ndërhyhet në ligj është edhe bashkëkryesimi me të rinjtë i këtyre këshillave. “Bashkë me ministrin apo me kryetarët e bashkive, këshillat do të bashkëkryesohen me të rinjtë. Ky është një propozim i ardhur nga vetë ata dhe i pranuar si ndryshim në ligj”, tha Muzhaqi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Po ashtu, një element tjetër me rëndësi, sipas ministres, është edhe gjithëpërfshirja në këto këshilla e të rinjve me aftësi të veçanta apo të rinjve nga diaspora. Ky ligj gjithashtu siguron dhe mbështetje reale përmes politikave të reja për mbështetjen dhe aktivizimin e tyre në tre projekte të rëndësishme si Programi Kombëtar i Praktikave të Punës. Ky program do të mbështesë të rinjtë, duke i siguruar një përvoje kualifikuese profesionale në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e tjera publike, duke garantuar të drejtën e mbikëqyrjes, trajnimit dhe trajtimit ushqimor për të rinjtë gjatë praktikës dhe pas përfundimit të saj, punësimin përmes kontratave të përkohshme të punës të të rinjve me vlerësimin më të lartë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Programi i Talenteve Rinore mbështet të rinjtë në kultivimin dhe promovimin e talentit të tyre në fushat e artit, kulturës, edukimit, shkencës, teknologjisë dhe sportit, përmes mbulimit të kostove të pjesëmarrjes në kompeticionet dhe në veprimtaritë zyrtare ndërkombëtare, si dhe dhënies së shpërblimit financiar, bazuar në vlerësimin e në rezultatet e arritura nga të rinjtë në këto kompeticione dhe veprimtari ndërkombëtare.

Ndërsa, programi i Nismave Komunitare të zbatuara nga grupimet joformale të të rinjve dhe këshillat vendor rinor, të mbështetura nga fondi grant i dedikuar për rininë me fokus përmirësimin e komunitetit, fshatit apo qytetit në të cilin banojnë. Të rinjtë kanë mundësinë të aplikojnë për mbështetje financiare pranë AKR-së për projekte rinore që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e komunitetit. Ndryshimet e propozuara sigurojnë vendosjen e standardeve dhe rritjen e cilësisë në shërbimet rinore. Rregullimet e propozuara synojnë të rrisin mundësinë e qendrave rinore për të përfituar nga financimet e donatorëve të huaj dhe aplikimet në projekte ndërkombëtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?