“Na falni! Turpi është i yni”

 

Emiljano Aleksi, këshilltari i kreut të Kuvendit, Ilir Meta, shprehet se vrasja e dy turistëve çekë është dështimi i një shoqërie që nuk ka arritur të garantojë siguri dhe shpresë.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë në FB

“Ndihem i pikëlluar shumë për vdekjen e turistëve çek. Sonte duhet të ndihemi të humbur e të dështuar përballë asaj çka ne s’po arrijmë të mbjellim dot; Siguri dhe Shpresë. Derisa Ne vrasim njëri-tjetrin, nuk e kemi “për gajle” të vrasim dhe një të huaj, qoftë edhe për një dollar më shumë. Bashkë me ju ne kemi vrarë sigurinë tonë dhe shpresën që një ditë ky vend do të bëhet. Në Shqipëri gjithçka është e shtrenjtë, me përjashtim të jetës.! Të gjithë kemi faj për vdekjen e Michal Svatos, Anna Kosinova.

Na fal Michal dhe Anna! që nuk ditëm t’ju mbronim,që nuk ditëm t’ju prisnim si miq, apo që në fletë palosjet që shpërndajmë nëpër botë për të reklamuar bukuritë natyrore që Perëndia na ka falur, nuk kemi shkruar; Kujdes! Mund dhe të rrezikosh kokën.

Nuk ditëm të ta themi, sepse jemi të zënë më cicmicet tona, me inatet dhe interesat tona, ndaj Na Falni! Ne ju vramë mbrëmë të dyve. Na falni! Sepse Ne dështuam t’ju siguronim pushimet tuaja, dështuam në mbajtjen e besës që Ju ja dhatë pa e negociuar me vrasësin tuaj, e morët në makinë. Ju kishit dëgjuar që shqiptarët janë të besës, por tashmë BËSA është thyer! Dështuam në çdo mënyrë të mundshme, dhe nuk arritëm të paktën të mbrojmë jetët tuaja dhe ndernin tonë. Dështuam o engjëj në çdo pikëpamje, shpresoj që kombi Juaj, Zoti, ju, gjaku e toka nuk do të na mallkojnë, siç na kanë mallkuar në të kaluarën, por ne e përsëritëm historinë edhe kësaj radhe në formën më makabre dhe turpëruese.

Na falni, apo na ndihmoni duke e mallkuar vrasësin e mjerë që si parazitë, pa moral e pa nderë, guxoi të ndyjë besën, traditën, fjalën, mikpritjen, tonë.

“Ne më tepër plakemi dhe më tepër na hyjnë dyshime nëse do të qytetërohemi ndonjë ditë”…?”

SHKARKO APP