“Na keni thënë dhe gojore”, deputetja Açka replikon me Ramën. Kryeministri: Jam prej mishi e kockash
Sharjet si në rrugë, tashmë i dëgjojmë më shpesh në sallën e Kuvendit. Deputetja e PD-së ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të përmbahet e të mos fyejë deputetët. Açka kërkoi që Rama t’i përmbahet etikës, duke kujtuar dhe fjalë të tjera ofenduese që kreu i qeverisë ka thënë më herët.
Flutura Açka: Dua t’ju drejtohem juve kryeministër, dua të qëndroj këtu që ta mbaj vetën të pastër, larg nga ndotja që u krijua nga ofendimet e zotit kryeministër. Unë do t’ju lutesha të mbanin etikë kur u drejtohemi njerëzve, sepse ju na quajtët vulëhumbur. Ndoshta dhe jemi se një grup i vogël deputetësh jemi, nuk kemi eksperiencën tuaj. Por na keni quajtur dhe gojore. Do t’ju lutesha që të mbani veten, unë jam një njeri me titull, ‘Mjeshtër i Madh’, kështu e kanë bërë titullin, mashkullore. Unë di që kam folur atë që kam ndjerë.
Edi Rama: E dëgjova me vëmendje fjalën tuaj, dua t’u them që unë nuk jam prej betoni, jam prej mishi e kockash. Kryeministër as kam lindur e as do vdes. Është një periudhë e jetës time që po bëj këtë detyrë, por vjen një moment që ‘mjaft është mjaft’. Më vjen shumë keq që dhe ju, që jeni një njeri librash, ratë në grackë.
Unë refuzoj që fjalët mafioz e kriminel të përdoren dhe për më tepër të heshtë personi të cili i adresohen. Kush është kriminel, është subjekt i drejtësisë dhe kur ia thua këtë, është t’i kesh thënë të fundit.
Pasi ia thua dhe nuk i jep prova, i bie të jesh palaço, sepse vetëm një palaço e vë veten e tij në një spektakël. Më vjen shumë keq, por unë e ndjeva detyrë ndaj djalit tim, që kur ta shikojë nesër pasnesër, ta dijë mendimin tim.