“Na ndihmuan në luftë dhe vazhdojnë ta bëjnë”, shqiptarët ndihmojnë gjermanët pas përmbytjeve
Situata në zonat perëndimore dhe jugore të Gjermanisë të prekura nga shirat dhe përmbytjet mbetet e tensionuar. Në disa zona të Gjermanisë banorët kanë nisur me rregullimin e dëmeve. Aksionit për pastrimin i janë bashkuar edhe disa shqiptarë të Kosovës që jetojnë atje.
Lulzim Hajdaraj dhe bashkombas të tij u ndalën të dielën Bad Neunar, një nga qytetet më të goditura nga përmbytjet siç e dëshmojnë dhe fotot e bëra prej tij.
“Atje pamë që njerëzit ishin të frustruar dhe të habitur se si ekzistenca e tyre brenda një kohe aq të shkurtër kishte humbur tërësisht, qyteti ishte rrënuar pothuajse i tëri. Ne shkuam sadopak që t’i dalim në ndihmë atyre njerëzve që në kohën e vështirë që ne e përjetuam në luftë na ndihmuan dhe vazhduan të na ndihmojnë edhe sot”, shkruan Hajdaraj në Facebook.
Hajdaraj bën thirrje që secili që ka kohë dhe mundësi të bëjë të njëjtën gjë, sepse është e duhur dhe e mirëpritur nga banorët. Numri i viktimave të konfirmuara për shkak të përmbytjeve shkatërruese në Gjermani arriti gjatë fundjavës në më shumë se 160 vetë.


KOHA JONË SONDAZH

