Naço: Ndërhyrje në Kushtetutë! Arvizu: Ja receta për drejtësinë
“Gjithë ky proces do të bëhet në bashkëpunim me Komisionin e Venecias dhe si një proces gjithëpërfshirës, të ketë jo vetëm konsensusin e aktorëve të fushës, por edhe të aktorëve të politikës. Kam parasysh këtu aktorët politikë të opozitës, e cila duhet të jetë aktive jo vetëm për faktin e numrit të nevojshëm të votave që kërkojnë ndryshime kushtetuese, por edhe për të garantuar një reformë të qendrueshme dhe të vazhdueshme ndër vite”, tha në nisje të fjalës ministri Naço.
Por që një ndërhyrje në Kushtetutë të bëhet realitet duhet të jetë prezente dhe opozita, e cila me përfaqësimin e saj në tryezën e dytë për reformën në drejtësi edhe pse jo në nivele të larta, duket se parimisht mund të japë votën e saj në Kuvend. Këtë të premte në tryezë kanë qenë të pranishëm juristi Ivi Kaso dhe këshilltari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu kishte diçka për të thënë për këtë reforme, duke dhënë recetën sesi duhet kontribuar për një reformë gjithëprëfshirëse dhe efikase.
” Ka disa hapa të nevojshëm që duhen ndjekur për të pasur një reformë të suksesshme në drejtësi.
1- Merrni hapa të matur, pasi reforma gjyqësore është një maratonë, jo një vrapim shpejtësie.
2- Procesi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës.
3- Udhërrëfyesi i BE duhet të shërbejë si parimi drejtues kyç.
4- Reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe mbështetjes së gjithë aktorëve përkatës.
5- Duhet të kërkohet imput dhe pjesëmarrje nga Komisioni i Venecias.
6- Procesi nuk duhet të politizohet, por duhet të jetë konsekuent me nevojat e qytetarëve shqiptarë”, tha ambasadori Arvizu.
Duke u ndalur tek problematikat që shfaq sistemi gjyqësor në vend, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori tha se duhet të bëhen jo vetëm ndryshime ligjore sa i takon sistemin të drejtësisë, por edhe kushtetuese dhe institucionale.
Ishte përfaqësuesi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi i cili konfirmoi dhe njëherë se opozita do të jetë e pranishme në tryezën për reformën në drejtësi, paçka se sipas tij shkarkimi i numrit dy të KLD-së Elvis Cefa ishte i paligjshëm.
Pjesëmarrës në tryezë ishin edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj; Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj; përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësia diplomatike në Tiranë, si dhe ekspertë shqiptarë e të huaj. Të ftuarit morën pjesë në diskutime, duke dalë me sugjerime konkrete në shërbim të dhënies së rekomandimeve për hartimin e një plan veprimi.
Më 6 tetor, Presidenti Nishani mblodhi të gjithë aktorët në një tryezë të përbashkët për reformën në drejtësi, duke vënë theksin në rëndësinë e gjithëpërfshirjes, ndërsa i kërkoi edhe minsitrit Naço të mblidhte një tryezë për këtë reformë.
Naço: Reformë rrënjësore, ndërhyrje edhe në Kushtetutë
Reforma në drejtësi do të jetë rrënjësore dhe do të cekë të gjitha institucionet që lidhen me drejtësinë. Në tryezën e rrumbullakët me temë “Reforma në Sistemin e Drejtësisë, Pavarësia, Llogaridhënia dhe Profesionalizmi”, ministri Naço theksoi se kjo tryezë është mjaft e rëndësishme dhe vjen si përgjigje ndaj tryezës së mbajtur më 6 tetor nga Presidenti i Republikës dhe konkluzionet e saj do t’i bashkëngjiten konkluzioneve të nxjerra më 6 tetor.
Sa i takon reformës në drejtësi, ministri Naço nuk përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes në Kushtetutë, por kjo, tha ai, do të bëhet vetëm ne bashkëpunim me opozitën.
“Reformë do të ketë në të gjitha institucionet. Reformë do të ketë në Shkollën e Magjistraturës, në Konferencën Gjyqësore, në KLD, Gjykata, etj. Të diplomuarit në Shkollën e Magjistraturës duhet të motivohen duke u emëruar menjëherë në prokurori apo gjykatë dhe jo siç ka ndodhur deri më sot. Konferenca Gjyqësore është një organ, kompetencat e të cilit duhet të rriten, duke e kthyer në një kontrollor të KLD-së dhe anëtarëve të saj, emërimi i të cilëve duhet të ketë kritere edhe më të forta”, tha Naço.
Ministri i Drejtësisë tha se reforma do të shtrihet edhe në Gjykata.
“Gjykatat kanë një fluks të lartë pune dhe kjo e bën të domosdoshme ndërhyrjen për të rritur shpejtësinë e dhënies së drejtësisë. Rritja e kontrollit të gjyqtarëve dhe ndarja më e mirë e punës do të jenë primare në reformën që do të prekë këtë pjesë të sistemit të gjykatave. Gjykata Kushtetuese gjithashtu do të jetë pjesë e reformës”, u shpreh Naço.
Ministri i Drejtësisë tha gjithashtu se edhe sistemi i ankesave, ndërmjetësimit, si dhe zyrat e Përmbarimit duhet të marrin një rol më të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë. “Duke qenë se kjo do të jetë një nga reformat më të mëdha të sistemit të drejtësisë, prania e opozitës dhe të gjithë aktorëve është thelbësore”, tha ministri.Naco
Arvizu: Reforma në drejtësi një maratonë, jo një vrapim shpejtësie
Ambasadori amerikan në Shqipëri Aleksander Arvizu ka theksuar rëndësinë e realizimit të reformës në sistemin gjyqësor në vendin tonë, duke u shprehur se ky është edhe një nga prioritetet për anëtarësimin në BE. Por ndërsa vuri theksin tek gjithëpërfshirja dhe realizimi i një reforme të thellë, ambasadori Arvizu përmendi edhe 6 hapa kyçe që të gjithë aktorët politikë duhet të ndjekin për të realizuar një reformë të suksesshme në drejtësi.
““Reforma gjyqësore është koncept i thellë dhe i gjithanshëm, si dhe është kusht për hapjen e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE. Ka një pritshmëri nga shqiptarët dhe bashkësia europiane, që kjo reformë do të sjellë ndryshime të vërteta. Është koha që të ndërtohet ky besim me një proces të matur dhe jopolitik. Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur, duke iu përqasur të gjitha grupeve të interesit, si dhe opozitës në mënyrë të sinqertë. Ne e nxisim qeverinë që të ndjekë udhërrëfyesin e BE-së. Gjithashtu, i takon opozitës që të mbajë një situatë të shëndetshme. Kjo konferencë është dëshmi që ka mundësi për ndryshime pozitive. Është e qartë se mbështetja kombëtare dhe ndërkombëtare është e disponueshme për këtë reformë. Burimet e EURALIUS, OPDAT, USAID, Komisionit të Venecias etj, janë të disponueshme dhe duhet të shfrytëzohen maksimalisht. Në përfundim, dua t’ju lë një recetë.
Së pari, duhet që të merrni hapa të matur, sepse reforma është një proces dhe jo një maratonë shpejtësie;
2. procesi për reformën në drejtësi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës;
3. udhërrëfyesi i BE-së duhet të jetë orientuesi kyç;
4. reforma duhet të përfshijë të gjithë aktorët;
5. të kërkohet pjesëmarrja e Komisionit të Venecias;
6. procesi nuk duhet të politizohet, por të jetë konseguent me nevojat e qytetarëve shqiptarë”, tha ambasadori Arvizu.
Ndërkaq, ambasadori amerikane, rikonfirmoi mbështetjen e SHBA për realizimin kësaj reforme dhe garantimin e shtetit ligjor, ndërsa tha se “duhet pjesëmarrje e të gjithë aktorëve për realizimin e një reforme të mirëfilltë gjyqësore”.
Zaganjori: Gjyqësori, duhen jo vetëm ndryshime ligjore, por edhe kushtetuese e institucionale
Duke u ndalur tek problematikat që shfaq sistemi gjyqësor në vend, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori tha se duhet të bëhen jo vetëm ndryshime ligjore sa i takon sistemin të drejtësisë, por edhe kushtetuese dhe institucionale.
“Ne e mbështesim këtë reformë, sepse ajo synon që të shërojë sëmundjen që në tërësi ka sistemi i drejtësisë në vendin tonë dhe synon që t’i japë zgjidhje problemeve konkrete që kemi. Në një shtet ku nuk funksionon siç duhet sistemi i drejtësisë, ku jo gjithnjë krimineli shkon në burg dhe drejtësia i jepet më të fortit, rezulton se qytetari i thjeshtë mbetet i pambrojtur nga shteti. Ne kemi disa avantazhe dhe nuk kemi pse të huazojmë nga shtete të tjera. Shtetet me demokraci të konsoliduar japin shembuj të mirë, por nuk mendoj që është rasti që të merren si modele apo të bëhen eksperimente për zgjidhjen e situatës. Kjo reformë me shumë gjasa do të ketë sukses, por ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe institucionale, qoftë edhe në lidhje me Konferencën Gjyqësore, për të cilën mendoj që duhet shtuar pesha e saj dhe po ashtu, mënyra sesi duhet të funksionojë KLD dhe Gjykata e Lartë, mendime që ne ia kemi përcjellë ministrit. Problem mbetet numri i çështjeve që gjykon Gjykata e Lartë dhe unifikimi i vendimeve që kjo gjykatë jep. Jemi të gatshëm që ta mbështesim këtë reformë për të garantuar suksesin e saj”, tha Zaganjori.
Xhafaj: Parlamenti ka rol kyç në koordinimin e reformës
Gjatë fjalës së tij në pjesën e parë të diskutimit, kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj u shpreh se Parlamenti luan rol kyç në koordinimin e reformës në drejtësi.
“Pjesëmarrja dhe kontributi ynë në konferencën e 6 tetorit dhe në këtë tryesë sot tregon vullnetin tonë qeverisës për ta mbështetur procesin e reformës. Ka ardhur momenti të flasim më pak dhe të bëjmë më shumë. Në konferencë u theksua se Parlamenti ka rol kyç në koordinimin e reformës. Perceptimi i qytetarëve për funksionimin e sistemit të drejtësisë ka kapur nivelet më të ulëta vitet e fundit, pasi drejtësia konsiderohet një mall që blihet dhe shitet dhe e fiton ai që paguan më shtrenjtë”, tha deputeti Xhafaj.