Nafta rrit çmimet e perimeve, qytetarët ankohen: Nuk mund t’i blejmë më
Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare po reflektohet drejtpërdrejt edhe në çmimet e produkteve bujqësore në Shqipëri, duke rënduar xhepat e konsumatorëve. Tregtarët raportojnë se perimet e importuara, veçanërisht ato që vijnë nga Greqia, kanë pësuar rritje të ndjeshme. Speci është shtrenjtuar me rreth 10-20 lekë për kilogram, ndërsa rritje kanë pësuar edhe patëllxhani dhe domatja. Kjo e fundit rezulton të jetë produkti më i goditur nga shtrenjtimi.
Nga ana tjetër, qytetarët shprehen se këto produkte janë bërë të papërballueshme, duke i detyruar të zgjedhin alternativa më të lira. Sipas tyre, problemi nuk lidhet me cilësinë apo shijen, por me çmimin e lartë. Disa produkte vendase kanë arritur t’i shpëtojnë rritjes së çmimeve falë kushteve të favorshme klimatike dhe prodhimit në sera. Trangulli dhe kungulli vijojnë të mbeten më të përballueshëm, ndërsa mashurka mbetet e kufizuar për shkak të prodhimit të ulët.
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se rritja e çmimit të naftës ka ndikim të madh në koston e transportit, e cila përbën rreth 50% të shpenzimeve në këtë sektor. Si pasojë, çmimet e perimeve për konsumatorët shqiptarë janë rritur mesatarisht me rreth 20%. Pritet që ky trend të ndikojë edhe në rritjen e inflacionit gjatë muajit mars, duke shtuar presionin ekonomik mbi familjet shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

