Naftëtaret i përgjigjen Ramës: Na ke prerë në besë! Nuk dalim nga greva pa zgjidhje, kauza jonë hyjnore
Naftëtaret e Ballshit, të cilat prej 14 ditësh janë futur në grevë urie, i kanë kthyer përgjigjen e menjëhershme kryeministrit Edi Rama, ndërsa i bënë atij të qartë se nuk do të tërhiqeshin nëse nuk plotësoheshin kërkesat e tyre.
Në një prononcim për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’, Ervis Kuçi grevistet thanë se Rama duhet të caktojë një orë dhe vend që të ulen me përfaqësues të kësaj greve dhe të plotësojë kushtet e tyre. Sipas tyre, Rama i ka prerë në besë naftëtarët, ndërsa sqaruan se kauza e protestës është e pastër.
“E dëgjojmë me vëmendje çdo prononcim të kryeministrit. Përderisa ka dalë garant për kompanitë offshore, të dalë garant dhe për naftëtarët. Duhet të zgjidhet kjo çështje, ne nuk dalim që këtu. Njëkohësisht me grevën të ketë negociata. Data, ora dhe vendi te cakotohen. Në momentin që plotësohen kërkesat e naftëtarëve, ne dalim nga greva. Ne kërkojmë zgjidhje të kërkesave. Nuk bëjmë ultimatume, jam thjesht bija e dikujt, bashkëshorte e dikujt, e nënë e dy vajzave. Kërkoj zgjidhje nga kryeministri dhe nga zonja Balluku. Të vijë ajo. Dhe ne të dalim të gëzuar që këtu. Kauza e naftëtarëve është më e pastra, hyjnore dhe e pastër si drita e diellit të pranverës. Jemi për bukën e gojës, për kauzë paqësore. S’duam politikë. Duam një zgjidhje, që të çojmë dinjitetin në vend. Jo, nuk dal nga dera! Nuk dalim nga greva. Na ke prerë në besë! S’kemi më besim.”, tha një prej grevisteve.