Najada Çomo fushatë nga spitali deri në 25 prill, Gjata: Vetëm nëse bëhet deputete, zëvendësohet te Infektivi
Shefja e Infektivit, Najada Çomo, do të qëndrojë në detyrë deri në 25 prill. Vetëm nëse ajo do të fitojë mandatin e deputetes, do të zëvendësohet. Rektori i Universitet të Mjekësisë, Arben Gjata, shprehet se zëvendësuesi i saj do të jetë përmes filtrave institucionalë, ku kandidatët kanë kritere të qarta.
Kandidimi i shefes së Infektivit, Najada Çomo, në listat e PS-së ka hapur debatin se kush mund ta zëvendësojë atë.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, tregon se ajo do të vijojë në funksionin që ka në QSUT deri në 25 prill. Vetëm nëse zgjidhet në parlament,ajo do të zëvendësohet.
Gjata shpjegon se fillmisht komandohet për rreth dy vite një tjetër mjek i përcaktuar nga Ministria e më pas nis gara për shefin e ri të Infektivit.
“Nuk është se Najada shkëputet tani nga funksioni, do të vazhdojë të shërbejë pranë shërbimit të Infektivit deri në momentin e zgjedhjes si deputete dhe deri në momentin e marrjes së detyrës së re”.
Por jo të gjithë mund të kandidojnë për këtë post. Një nga kriteret është edhe eksperienca e gjatë në punë.
“Duhet të jetë minimumi Doktor Shkencash, duhet të ketë 15 vjet minimumi eksperiencë pune dhe duhet të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë pedagogjike.”
Pas dorëzimit të kandidaturave nga drejtoria e QSUT janë edhe disa institucione të tjera të cilat do të vendosin për shefin e ri, mes tyre edhe Ministria e Arsimit.
“Drejtoria e QSUT i propozon Rektoratit një nga emrat që ata mendojnë për ta zgjedhur si shef Shërbimi, Rektorati jep pëlqimin teorikisht dhe emrat i shkojnë për komandim Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit”.
Najada Çomo u prezantua si kandidate për deputete në listat e PS një javë më parë, ndërsa prej 2 vite e gjysmë ajo ka drejtuar shërbimin Infektiv në QSUT.