Najada Çomo: Të shtruar në spitale mosha të reja, shumica janë të pavaksinuar
Shefja e spitalit Infektiv, Najada Çomo deklaroi se aktualisht në spital janë rreth 130 persona të infektuar me koronavirus, të hospitalizuar.
Gjatë fjalës së saj në një konferencë të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Çomo tha se 12% e pacientëve janë në gjendje kritike, ndërsa ajo çka është alarmuese është fakti se shumë prej të shtruarve janë të moshave të reja. Sipas saj, kryesisht të shtruarit janë të pavaksinuar.
“Janë rreth 130 pacientë të shtruar sot që flasim prej të cilëve 12 % janë në formë kritike, 54% në formë të rëndë, dhe pjesa tjetër në formën e mesme të rëndë. Janë mosha të reja të shtruar në spital, që janë të pavaksinuar. Për t’u vlerësuar është se moshat e reja sot janë ata që nuk kanë sëmundje kronike. Tjetër një grup që duhet vlerësuar janë gratë shtatzëna. Kanë ecur mirë në mënyrë mjekësore, por të gjitha të shtruarat kanë bërë lindje të parakohshme. Mbizotërojnë në grup të plot persona të pavaksinuar. Rreth më pak se 3-4% janë persona të vaksinuar, me dozën e parë apo të dytë”, tha Çomo.