Namik Dokle: Njerëzit po ikin për bukën e gojës

Politikani Namik Dokle, teksa i është referuar situatës politike në vend, nuk ka lënë pas edhe skamjen, duke thënë hapur se njerëzit detyrohen të largohen për bukën e gojës. Në një intervistë për mediat, ai përdor fjalën "Mjegull" lidhur me domethënien e gjithçkaje që po ndodh në Shqipëri.

Politikani dhe shkrimtari Namik Dokle, në prag të prezantimit të librit më të fundit “Vajzat e mjegullës”, ka dhënë një intervistë ku shfaqet i shqetësuar rreth situatës aktuale. Romani i ri ka nota autobiografike dhe bazohet në kujtimet e Dokles për zonën e Gorës, ku ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë. Në intervistë, Dokle flet edhe për situatën aktuale të vendit.

“Viktimë e ditëve tona janë ata që nuk kanë mundësi të ndërtojnë një jetë normale, sepse sot Shqipëria ka një hendek të madh të atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë”.

I pyetur nëse është kthyer Shqipëria në një Indi të vogël, ai thotë: “Absolutisht. Më kanë folur për një njeri që jeton në pyll, në Pukë, i vetmuar, pasi fshati është zbrazur”. “Ndërkohë që kemi familje në skamje të plotë, kemi edhe disa që janë pasuruar brenda natës, e janë bërë milionerë, me rrugë të paligjshme, banditizëm”. “E kam fjalën për hendekun që krijon tragjiken në shoqërinë tonë, që reflektohet në lëvizjen e njerëzve që emigrojnë, për të gjetur një jetë më të mirë, siç e thotë një nga personazhet që “për copën e bukës, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre”. Për fat, fshati im nuk është braktisur”.

SHKARKO APP