Nazarko: Ka sinjale se mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme

Analisti Mentor Nazarko tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se qëndrimi i opozitës për të ndalur protestat deri më 18 tetor, ditë kur Këshilli Evropian do të vendoste për integrimin e Shqipërisë, ishte pozitiv dhe në interes të vendit tonë. Ndërsa sa i takon zgjedhjeve të parakohshme, analisti Nazarko deklaroi se ato nuk mund të bëhen pa u bërë më parë Reforma Zgjedhore me të dyja palët politike, duke shtuar se ka sinjale për pajtim të palëve, që edhe mund të çojnë në zgjedhje.

“18 tetori ishte një datë, një afat, në të cilën Shqipëria do të shqyrtohej me precedencë, sjellja e saj, institucionet e saj, opozita e saj, nga BE. Për këtë arsye, mendoj që opozita ka mbajtur një qëndrim konstruktiv, pozitiv, në shërbim të interesit të vendit, në të mirë të Shqipërisë. Për këtë janë investuar edhe miqtë e Shqipërisë, SHBA, që folën përmes Palmer, teksa ky i fundit tha se dy prioritetet e tij ishin integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Me presionin amerikan, me frymëzim të brendshëm pozitivist, opozita mbajti këtë qasje, që ndaloi protestat. Franca la të kuptojë se do shikojë procesin e afrimit të vendeve aspirantë me BE. Imagjinoj se Franca duhet të bëjë të qartë skenarin e saj, procedurën si e imagjinon ajo, në javët e ardhshme, çka do të thotë se ato faktorë që penguan opozitën që të jetë agresive dhe me protesta, duhen të sugjerojnë një periudhë pritjeje.

Faktori i dytë është paqartësia që ekziston në mënyrën se si do iu afrohemi zgjedhjeve të parakohshme, edhe nëse palët bien dakord. Që të bëhen këto zgjedhje do duhet të kemi Reformë Zgjedhore. Rekomandimet e OSBE mbi këtë reformë do duhet të miratohen në Kuvend, por që opozita nuk është e pranishme institucionalisht. Kjo e rrit misterin se çfarë po ndodh me zhvillimet e nëntokës, që nuk janë publike. Kjo duket dhe në faktin se kush e udhëheq opozitën parlamentare, zonja Hajdari apo dikush tjetër, apo sinjale tjera, si psh. Z. Duma dhe z. Basha për problemin me modelin, listë të hapur me të mbyllur.

Pra, duket sikur ka një sinjal, sigurisht që një perspektivë e qartë për integrimin, dmth një datë, do t’i përshpejtojë zhvillimet e brendshme në kahje pajtuese, që mund të çojë dhe në zgjedhje të parakohshme. Jemi thuajse në një pushtet mono, njëngjyrësh. Jemi në një krizë pushteti, bashkitë kërkojnë fonde. Qeveria vetë ka shpallur prioritetet e saj. Kështu që kjo është pjesa më problematike, që e bën të domosdoshme gjetjen e një zgjidhjeje”, tha Nazarko.

Nëse palët do arrijnë një marrëveshje për të shkuar në zgjedhje, ka një mungesë optimizmi, ka shumë mundësi që Franca do kërkojë një ndërprerje të BE për gjithë Ballkanin Perëndimor …

Ambasadori francez në Serbi e hodhi poshtë këtë. Mediet serbe përgjithësisht luajnë me këtë gjë, sikur janë burimi i parë i informacionit, por ambasadori e përgënjeshtroi këtë dhe tha se janë pro integrimit. Franca, në gojën e këtij ambasadori, la të kuptojë se do të ketë ulje të vendeve aspirantë në tavolinë me vendet e BE në mënyrë sektoriale. Pra, nëse përparohet në drejtësi, jemi afër në drejtësi dhe nëse ndodh në ekonomi, jemi afër në ekonomi. Pra, nuk do kemi negociim në të gjithë sektorët, por sipas sektorëve.

A ka ndikim rus në rajon?
Nëse flasim për rajonin, sigurisht që ka ndikim rus. Shqipëria është shumë e mbrojtur, ka një raport me NATO, që e mundëson mbrojtjen nga Rusia. Rusia do të përpiqet ta mbajë Ballkanin si një vatër krize, në mënyrë që të pengojë zgjerimin, zgjerimin nga Maqedonia, Serbia, dhe ta mbajë çështjen e Kosovën përjetësisht të pazgjidhur, në mënyrë që të ketë ndikimin e saj në Serbi sa më të fortë. Mendoj që ndikimi rus shton kostot e afrimit me BE, apo kohën e afrimit, por nuk mund ta pengojë, sepse ndikimi lidhet dhe me fuqinë ekonomike. Fuqia ekonomike ruse nuk është e krahasueshme me BE. Ballkani është vend konkurrence mes këtyre vendeve dhe do vazhdojë të jetë, Rusia do vazhdojë të mbajë ndikim, kjo është një lojë e fuqive të mëdha.

Ka ndikim në politikë?
Nuk ka diskutim që shpeshherë veprime të caktuara të aktorëve të skenës politike duket sikur çojnë ujë në mullirin e Rusisë për të pasur destabilitet, kaos, kjo është e vërtetë. Palët në lojën tonë politike kanë sakrifikuar interesat kombëtar në emër të interesave të tyre të veçantë, e ka bërë PS, po e bën PD. Edhe në Kosovë kjo duket.

Unë mendoj se interesi kombëtar dhe i shtetit të Kosovës ka qenë që këtë moment kur ka një investim të planit të parë të Presidentit të SHBA, që të ketë përmbyllje të dialogut, të gjithë klasat politike të Kosovën, gjithë faktori shqiptar, përfshi edhe Shqipërinë, duhet në jenë në funksion të sintonizmit me SHBA, kjo është absolute. Porosia amerikane nuk trajtohet si duhet në Kosovë.

Rasti Kajmaku, i disati për qeverinë që akuzohet nga opozita. Nesër merret vendimi i KQZ …
Nuk kam informacion të detajuar, por di që ka një vendim gjyqësor grek që e shfajëson atë. Me logjikë juridike, me logjikë kushtetuese, me logjikë që mbështetet në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e drejta e tij për t’u zgjedhur nuk mund të kufizohet. Ligji i Dekriminalizimit i miratuar në Shqipëri është shumë i ashpër. Ai thotë që nuk e ka ditur dënimin në Greqi.

Që ka një problem të madh këtu, ka, dhe që palët politike, PS konkretisht ka bërë koalicion me njerëz që kanë pasur të kaluar kriminale, por a e ka bërë në mënyrë të vetëdijshme, apo e ka bërë se këta njerëz kanë bërë diçka në perëndim dhe kanë ardhur këtu e i janë futur punës. Kriminelët i afrohen pushtetit, ndaj dhe kjo shpjegon pse PS po vuan këtë problem. Ata njerëz që duan të kontrollojnë më shumë, i afrohen partisë që ka më shumë shanse të fitojë. Kjo shpjegon atë pse PS është më problematike.

SHKARKO APP