Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare mjeshtëri i valleve popullore Besim Zekthi
Ndahet nga jeta mjeshtëri i valleve popullore Besim Zekthi.
Lajmin e ka bërë me dije Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor
“Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit të valles popullore mbarëshqiptare, “Nderi i Kombit” – Besim Zekthi. Artisti humbi betejën me një sëmundje të rëndë, në moshën 84 vjeçare, në shtëpinë e tij në Tiranë, rreth një orë më parë.” – thuhet në njoftim.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij mjeshtrin e valles shqiptare, të pazëvendësueshmin, Besim Zekthi.
Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.