Ndahet nga jeta Sulo Gradeci, njeriu më i afërt i diktatorit Hoxha

 

Njeriu më i afërt i Enver Hoxhës për 30 vite, që u kujdes për sigurinë e tij, Sulo Gradeci, ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, në moshën 93 vjeçare.

Komandanti i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, zyrtarisht deri në vitin 1983, vdiq rreth orës 21:00 të mbrëmjes, gati 1 javë pasi kishte humbur edhe të shoqen.

Të njohur të familjes Gradeci konfirmuan vdekjen e personit që ishte për një kohë të gjatë edhe komandanti i grupit të shoqërimit të udhëheqësve pas vdekjes së diktatorit.

Pas rënies së diktaturës, Sulo Gradeci botoi një libër me kujtimet e tij dhe jetën pranë Enver Hoxhës, “mitit” e “udhëheqësit shpirtëror”, siç e cilësonte ai.

Pjesa më e madhe e fotove dhe e filmimeve të jetës së Enver Hoxhës, që ruhet edhe sot, ka për autor pikërisht Sulo Gradecin.

Madje, fotografia e fundit e Enver Hoxhës, para se të ndërronte jetë, më 11 prill 1985, deklarohet se është e fiksuar nga Sulo Gradeci./Panorama

SHKARKO APP