Ndalimi i 78 sirianëve në Pogradec: 1200 euro për person, kemi ngrit shtetin në këmbë

Rreth 78 refugjatë, numri më i lartë i kapur ndonjëherë nga policia, në tentativë për të kaluar drejt vendeve të BE-së. Mes tyre janë gra dhe fëmijë nga Siria, Maroku e Algjeria, të cilët kanë marrë rrugën e gjatë e të vështirë, për një jetë më të mirë. Ato u kapën të fshehur në një kamion, në një aksion ku të përfshirë ishin rreth 40 forca policie.

Në një bisedë që ka kryer i arrestuari Endri Rrushi me personin tjetër të arrestuar, Amarildo Rrushi, Endri i thotë të vëllait “…ik shpi, kanë pa kamionin në mëngjes duke zbrit. Nuk duhet lëviz më me të. Kemi ngrit tërë shtetin në këmbë, që Tiranë deri në Korçë. Kanë ngrit çdo cep postobllok”. Ky mesazh është dërguar në mesnatë në orën 00:42 minuta, kur grupi i përbërë nga 5 persona kishte organizuar transportimin me trajler të 78 sirianëve.

Dy vëllezërit janë djemtë e biznesmenit nga Flamur Rrushi, i cili administron kompaninë e pastrimit “Rrushi Trans”. Informacioni për lëvizjen e këtij kamioni me emigrantë është dhënë nga agjentët e antidrogës, të cilët kishin raportuar se në ambjentet e ish-baxhos së fshatit Zvezdë, ishin strehuar një numër i madh emigrantësh sirianë. Këta emigrantë ishin marrë përsipër të transportoheshin me kamion nga fshati Zvezdë deri në Tiranë, ku do strehoheshin në një objekt në fshatin Mullet.

Pjesa më e madhe e emigrantëve kanë pohuar se ishin kontaktuar me persona të ndryshëm, të cilët i kishin premtuar vijimin e këtij udhëtimi në mënyrë të paligjshme drejt Shqipërisë, e më pas deri në Serbi. Për këtë udhëtim emigrantët Sirianë pagonin një shumë prej 1200 euro për person, shumë e cila është lënë në agjenci monetare në formë garancie, me të drejtë tërheqje. /Shqiptarja.com/

SHKARKO APP