Ndalohen të martat e shenjta. Xhamitë dhe kishat: Falje dhe lutje në shtëpi

Vendimeve të forta të shtetit për izolim të jetës në publik, i janë bashkuar edhe institucionet e besimeve në vendin tonë. Të mërkurën ishte Komuniteti Mysliman Shqiptar që njoftoi anulimin e faljes së namazit të së premtes. “Karantinimi dhe evitimi i të gjitha lëvizjeve të panevojshme është masa paraprake që duhet të merret në të tilla raste. Feja Islame gjithashtu i jep një rëndësi të madhe higjienës personale dhe të ambientit ku jetojmë e punojmë, duke e konsideruar higjienën dhe pastërtinë si pjesë të besimit. Kjo është gjithashtu edhe si një nga masat e sugjeruara nga ekspertët për parandalimin e përhapjes së kësaj epidemie”.

Këtij vendimi i është bashkuar edhe dioqeza katolike. Përmes dekretit të firmosur, është pezulluar çdo veprimtari fetare deri më 3 prill, përfshirë këtu edhe pelegrinazhin në Shenjtëroren e Kishës së Shna Ndoit në Laç edhe Shenjtëroren e Zojës në Shkodër. “Ftojmë famullitarët që të kremtojnë Meshën në kapelat e tyre, duke e transmetuar atë edhe online nëpërmjet rrjeteve sociale”.

Këtë vendim të katolikëve e ka përshëndetur edhe kryeministri Edi Rama. “Respekt, respekt, respekt për komunitetin katolik, që vendosi të anulojë të gjitha ritualet kishtare, duke dhënë një mesazh kuptimplotë për të gjithë popullin shqiptar. Edhe nisja e të martave të shenjta të Shën Ndojit që mbledhin nga të katër anët dhjetëra mijëra besimtarë, këtë herë nuk do të bëhet në truallin e bekuar të Kishës së Laçit, po në tempullin e shpirtit të çdo besimtari. Faleminderit”.

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve me anë të një deklarate për mediet, shprehet se duke marrë parasysh situatën nga koronavirusi, janë marrë masa të menjëhershme për të ndaluar veprimtaritë fetare. Me anë të një njoftimi për shtyp, Kryegjyshata thotë se do të ndalohen në teqe dhe objekte të tjera kulti të kësaj feje, ritet e fesë, që bien në kundërshtim me rregullat e vënë në fuqi nga qeveria shqiptare. “Ndalohen kategorikisht të gjitha festat, darkat e ndryshme, llokmat për myhibanë, apo dashamirës bektashinj, suni dhe çdo lloj tubimi tjetër që është traditë e tarikatit dhe nënkupton grumbullimin e besimtarëve”. Urdhërat e lëshuara janë firmosur nga ana e kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dedë Edmond Brahimaj.

SHKARKO APP