Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit/ Berisha mban 1 minutë heshtje në konferencë: Lajm shokues!

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka qenë në konferencë me gazetarët në momentin kur ka marrë vesh për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani.

Lideri i opozitës e konsideroi si një lajm shokues që i erdhi si rrufe në qiell të hapur, teksa tha se Bogdani ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Berisha shtoi më tej se kjo është një humbje e madhe jo vetëm për PD-në, por për shoqërinë shqiptare.

Berisha iu kërkoi gazetarëve që të mbanin 1 minutë heshtje, teksa më pas ndërpreu konferencën.

Sali Berisha: Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj, pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD. I shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA. Ai midis një të ardhme në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore, dhe kontributet për vendin e tij dhe PD, zgjodhi këtë të fundit. Ky lajm shokues për mua dhe çdo demokrate e demokrat, por edhe çdo qytetare e qytetar që e ka njohur Gerti Bogdanin më erdhi në këtë moment si rrufe ne qiell të hapur. Dy net më parë e kam ndjekur në një studio televizive. Mendoj se në rast se ka një njeri që njoh unë, i cili tek çdo qytetare dhe qytetar, mik, shok i njohur, ka lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani, ndaj dhe ju ftoj të ngrihemi dhe të mbajmë 1 minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar, të ri, të PD. I paharruar kujtimi i tij!

SHKARKO APP