Ndarja selektive e ndihmave, Haki Çako u përgjigjet akuzave të PD-së: Nuk është e vërtetë!

Haki Çako, drejtor i përgjithshëm Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në një intervistë për Ora News, iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për shpërndarjen selektive të ndihmave.

Çako tha se diçka e tillë është dezinformim dhe informacioni që dha ish-deputeti Gazment Bardhi, është i pavërtetë dhe nuk përputhet me punën e bërë nga punonjësit e administratës dhe vullnetarët.

Janë disa akuza për mënyrën selektive për shpërndarjen e ndihmave, si i përgjigjeni akuzave të opozitës?

Çako: Me keqardhje them se këto akuza janë dezinformacion dhe një dobësi, sepse të shkëputësh një paragraf nga një informim i tërë që është publik, ndërkohë që poshtë informacionit është pasqyruar i gjithë shërbimi i ofruar. Deri tani janë shërbyer rreh 205 000 familje në shkallë vendi. Janë të gjitha bashkisë që kanë alokuar edhe fondet e veta, për mbrojtjen civile. 

Në këto kushte mund të them se informacioni është i përditësuar dhe verifikueshëm, dhe informacioni i pjesshëm i dhënë nga opozita dhe zoti Bardhi nuk është i vërtetë dhe nuk përputhet me atë punë të bërë nga punonjësit e administratës dhe vullnetarët. Janë mbi 47 500 familje të cilave u është shërbyer drejtpërdrejt në shtëpi pasi kanë pasur pamundësi për të lëvizur. 

Pakot janë standardizuar me disa artikuj, ku përcaktohen artikujt, pesha dhe koha që duhen shpërndarë. Të gjitha njësitë janë në shërbim të këtyre personave në nevojë, jo vetëm me ndihma ushqimore, por për çfarëdolloj nevoje, duke kërkuar prezencën e administratës deri në skajin e vendin tonë.

Ndërsa referuar akuzave të opozitës në lidhje me tenderin e ushqimeve, Çako tha se këto akuza janë të pavërteta dhe për këtë tender janë ndjekur procedurat e përcaktuara ligjore.

Çako: Absolutisht e pavërtetë dhe jam i bindur se drejtësia ka të drejtë të flasë në këto raste, por jam më se i qartë se është një procedurë e përcaktuar nga aktet ligjore. Do i bëja ftesë kujtdo qoftë, që në vend që të merren me gishtin, të merrem për të ndihmuar këta qytetarë. Jam i bindur që kjo asistencë deri në momentin që qytetarët do të fillojnë normalitetin e tyre. 

SHKARKO APP