Ndërhyrje në rrjetin e brendshëm të Ujësjellësit në dy lagje në Elbasan, Balla: I domosdoshëm në një zonë që është korrekte në pagesa
Mungesa e ndërhyrjes për më shumë se 30 vite, por edhe humbjet e mëdha në rrjet bënë që Bashkia e Elbasanit të nisë menjëherë rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit në lagjen “Çlirimi” dhe “11 Nëntori”.
Ndërhyrja është bërë në rrugët “Ali Caushi”, “Faik Neziri” dhe “Veli Stafa” ku i gjithë tubacioni i vjetër prej çeliku është zëvendësuar me tubacion të ri sipas standardeve.
Investimi garanton jo vetëm më shumë furnizim me ujë të pijshëm, por mbi të gjitha cilësinë e tij.
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputetë inspektuan punimet e kryera.
Balla vuri në dukje se ky investim erdhi menjëherë pas kërkesës së banorëve dhe ishte i domosdoshëm në një zonë që është korrekte në pagesa dhe e meriton vëmendjen e veçantë të bashkisë.
Po ashtu tha Balla, pajisja e të gjithë abonentëve me sahat matës do t’i japë fund abuzimeve dhe secili do të paguajë për atë që harxhon.
Deputetja Evis Kushi nënvizoi faktin se pavarësisht situatës së vështirë së shkaktuar nga COVID, investimet në Elbasan nuk janë ndërprerë.
Balla kërkoi që menjëherë pas përfundimit të punimeve të ujësjellësit, të ndërhyhet për rrugën e cila është dëmtuar për shkak të kësaj pune.
Më këtë investim kjo zonë merr pamjen që i takon denjësisht, si një nga lagjet më të vjetra të Elbasanit.