“Ndërmjetësimi” në krizën turko-greke, Haradinaj: Rama më mirë të merrej me Kosovën për njohje të reja
Gjatë intervistës për “Tempora”, ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj komentoi ndërhyrjen e kryeministrin shqiptar Edi Rama për të bërë ndërmjetësin mes Turqisë dhe Greqisë.
Sipas Haradinajt, në vend që të zgjidhë problemet mes Ankarasë dhe Athinës zyrtare, kryeministri Edi Rama mund të punojë për njohje të reja për Kosovën, duke nënvizuar faktin se Greqia ende nuk e ka njohur pavarësinë e saj.
“E di diskutimin që ka Shqipëria me Greqinë për kufijtë në det. Ne kemi interes për të avancuar për njohjen me Athinën zyrtare, prandaj në këtë rast më mirë Rama të ndihmonte Kosovën për njohje sesa të interesohet të zgjidhë çështje të tjera më larg. Ndërsa falenderojmë Ankaranë për njohjen dhe përkrahjen e deritanishme”, u shpreh Ramush Haradinaj.
Po ashtu, Ramush Haradinaj shpreh se ka më se 1 vit që nuk ka komunikim me kryeministrin Rama.
“Kemi një kohë të gjatë, më shumë se sa një vit që nuk komunikoj me Ramën. Do të respektoj të gjitha institucionet e Shqipërisë, natyrshëm që u dëshiroj bashkëkombësve të mia shqiptare që të ecin përpara në reformat e veta edhe në zgjedhjet që vijnë dhe ata do të vendosin se kush do ta qeverisë vendin, e unë do ta respektoj”, theksoi Ramush Haradinaj.
Porti i Durrësit
Është folur shumë ditët e fundit për mundësinë e kalimit të Portit të Durrësit në duart e një grupi të madh investitorësh nga Dubai.
Duke ditur rëndësinë që ka ky port edhe për daljen e Kosovës në Adriatik dhe faktin që Rruga e Kombit kishte një nga qëllimet e saj edhe këtë gjë, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, u shpreh gjatë intervistës së tij për “Tempora” në RTV Ora se,
“Ne mendojmë se duhet bërë kujdes me disa investime strategjike. Nevoja për investime është e madhe por edhe përcaktimi euro-atlantik i Shqipërisë dhe shqiptarëve duhet të ruhet. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm në veprimet e mëtutje jo vetëm për interesat e njëri-tjetrit, në këtë rast për Kosovën, por duhet të bëjmë kujdes për pozicionimin tonë afatgjatë.
Disa nga refuzime apo bllokime që marrim nga disa prej aleatëve tanë strategjikë vijnë në disa raste edhe nga porositë e gabuara apo mesazhet e gabuara që çojmë ne, në të gjitha sferat e jetës”, tha ndër të tjera Haradinaj.