Ndërprerja e Vetting-ut, Llalla përballë Ramës. Sot seanca e dytë tek KPA
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, më 16 maj të këtij viti vendosi të shtyjë për në datën 31 maj, këtë të enjte seancën për ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Seanca e 16 majit, ishte thirrur pas ankimimit nga ana e Komisionerit Publik të vendimit të KPK-së të datës 16 shkurt 2018 për ndërprerjen e procesit të Vetting-ut për Adriatik Lallën, pas dorëheqjes së tij nga sistemi i drejtësisë.
Kolegji i Poasçëm i Apelimit do të zhvillojë sot seancën e dytë gjyqësore të ankimit të Komisionerit Publik, kundër ndërprerjes së Vetting-ut për ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Bëhet fjalë për kundërshtimin e vendimit të datës 16 shkurt 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar të Llallës, për shkak se ai dha dorëheqje nga funksioni i prokurorit. Në seancën e kaluar, të zhvilluar në 16 maj, trupi gjykues i KPA shtyu seancën pasi vlerësoi se prokura e paraqitur nga avokati i Llallës, Sokol Hazizaj kishte mangësi.
Sipas KPA, Llalla nuk shprehet qartësisht vullnetin se Hazizaj mund të përfaqësonte në këtë proces. Njëkohësisht, KPA vendosi rinjoftimin e Llallës për datën e seancës dhe procesin që po zhvillohet ndaj tij. Dje avokati i Llallës, konfirmoi plotësimin e prokurës, sipas detyrave të KPA. “Të enjten do të paraqes prokurën. Në vijim të detyrimit që më ka dhënë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, kam realizuar të gjitha detyrimet e kërkuara”, tha avokati për ”Abc News”. Mënyra e nënshkrimit të prokurës, apo kontaktet që ka pasur avokati me klientin e tij Llalla pritet të mësohen gjatë seancës të së enjtes.
Përveç ankesës së Komisionerit Publik në lidhje me Vetting-un, ish-kryeprokurori Llalla po hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda për kryerjen e katër veprave penale. Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për këtë çështje përbëhet nga Sokol Çomo, kryetar; Luan Daci, relator dhe anëtarët Albana Shtylla, Ina Rama dhe Ardian Hajdari.
Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë. Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu Vetting-un edhe Besnik Imerajt.
Shtegu për dorëheqje në çdo kohë, që do të thotë shpëtim nga Vetting-u u hap pikërisht nga Gjykata Kushtetuese gjatë interpretimit të ligjit të rivlerësimit. Dosjet e të dorëhequrve dhe të të papërshtatshmëve arkivohen, por nëse kërkohen nga prokuroria, atëherë ata i nënshtrohen edhe kontrollit penal.
KOHA JONË SONDAZH

