Ndërroi jetë ikona e arsimit të Lezhës dhe përtej saj

Nga Martin DEDAJ

Me 23 Korrik 2015, ndërroi jetë në moshën 85 – vjeçare ikona e arsimit në Lezhë dhe përtej saj Mark Vuji. Familjarët dhe të afërmit humbën njeriun e tyre të dashur. Arsimi misionarin e paepur në udhën e dijes, shokët dhe miqt bashkëbiseduesin dhe këshilluesin e papërtaur, nxënësit dhe studentët e plejadave të ndryshme mësuesin dhe petagogun e tyre të palodhur, shkenca shqiptare profesorin e asociuar, bashkia Lezhë, “Qytetarin e Nderit”, të saj.

Ai u  nderua dhe u respektua, si dhe u percoll për në banesën e përjetshme nga shumë qytetarë lezhianë dhe jo vetëm, familjarë miq e të afër. Në hollin e bashkisë Lezhë, ishte vendosur arkivoli i trupit të pajetë të Mark Vujit, ku qytetarë të shumtë të Lezhës, autoritete vendore, përfaqësues të forcave politike, mësues dhe nxënës të plejadave të ndryshme etj, bënë homazhe në nderim të tij.

Po kush ishte  Mark Vuji…

“Vlera e një njeriu duhet parë në faktin se çfarë ai jep, dhe jo në atë se çfarë është në gjendje të marrë”, ka thënë Albert Einshtein.

Mark Vuji, ka qenë dhe do të mbetet njeriu që ka dhënë aq shumë për arsimin në Lezhë dhe jo vetëm, duke qenë njëherësh njëri ndër apostujt e arsimit në shkallë kombëtare. Për aktivitetin e dhënë së gjalli në shërbim të arsimit dhe dijes, ai meriton të ngrihet në piedestal. Për mbi gjashtë dekada ka qenë në shërbim të arsimit shqiptar, si një misionar i palodhur i dijes në Shkodër, Mat, Lezhë e më gjërë, dhe ka bërë që emri i tij të gdhendet në kujtesat e plejadave të nxënësve dhe mësuesëve në këto rrethe dhe veçanarisht në gjimnazin e Lezhës, ku punoi për mbi tre dekada, që nga dita e parë e hapjes së kësaj shkolle (1967) dhe derisa ai doli në pension. Një rast ky i veçantë ndoshta në mbarë Shqipërinë. Do të mjaftonte vetëm ky fakt, që kjo shkollë të mbante emrin e tij, të këtij misionari të madh të arsimit në Lezhë.

Mark Vuji u lind më 1 Tetor 1930 në një familje patriotike malësore hotiane. Arsimin fillor e kreu në vendlindje (Hot të Ri) dhe më pas vijoi mësimet në shkollën “Dukajat e Reja” Shkodër. Më pas përfundoi gjimnazin e shtetit (1948) dhe studimet e larta për Gjuhë – Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka shpalosur një aktivitet të spikatur në fushën e arsimit, si një metodist i shkëlqyer, veprimtar i palodhur i kërkimit shkencor dhe një frengjisht dhe italisht  zotërues i kahershëm.

Ai punoi si mësues sapo mbaroi shkollën e mesme, fillimisht në shkollën fillore “Salo Halili” Shkodër. Më pas transferohet për një vit në fshatin e  Bel-Unjanës në Mat dhe rikthehet përsëri në Shkodër, në shkollën fillore “Dedë Gjo Luli” të Hotit e më pas në shkollën e lokalitetit të Mesit (Postribë).

Në vitin 1952 me iniciativën e tij bëhet e mundur hapja e shkollës 7-vjeçare në Boks-Dragoç (Lokaliteti i Mesit), ku më pas emërohet drejtor i saj. Pasi kryen shërbimin ushtarak, emërohet drejtor i shkollës  “Sherif Haxhija” në Koplik.

Në shtator të vitit 1957, transferohet dhe emërohet në gjimnazin e Lezhës, i cili aso kohe sapo kishte hapur dyert. Punon në këtë shkollë si drejtor i saj për mbi 30-vjet, derisa doli në pension. Përgjatë gjithë karrierës së tij mësimore dhe pedagogjike ka patur një aktivitet të spikatur mësimor, shkencor dhe pedagogjik gjë e cila është e mishëruar qartazi me atë çfarë ai ka dhënë me kontributin e tij ndër vite  në këtë fushë.

Mark Vuji ka qenë themelues dhe drejtues i rrethit shkencor të mësuesëve të rrethit Lezhë, të cilin e ka drejtuar për një kohë të gjatë. Gjithashtu ai ka drejtuar Almanakun Shkencor “Lissus”, ka dhënë leksione si lektor i jashtëm në Katedrën e Psikologjisë, në kurset pasuniversitare e ato të kualifikimit për drejtorë dhe inspektorë arsimi, si dhe ka qenë anëtar i këshillit shkencor të Institutit të Studimeve Pedagogjike etj.

Që prej vitit 1960 e në vijim emri i Mark Vujit ka qenë i pranishëm në organet mediatike dhe pedagogjike, buletine, revista, sesione shkencore etj, duke qenë aktiv e dhenë mendime dhe alternativa për zhvillimin e arsimit dhe shkencës shqiptare. Duke qenë kështu modeli i një metodisti dhe psikologu të pa arritshëm. Kjo falë punës së pandërprerë që ai ka kryer i shoqëruar me një vullnet të pashoq, (që e ka karakterizuar gjithmonë), për të studiuar dhe punuar me shumë pasion dhe përkushtim të pa shoq në fushën e arsimit dhe shkencës.

Gjithashtu ai është është autor i disa librave kryesisht të fushës pedagogjike dhe psikologjike në arsim dhe konkretisht: “Karakteristikat mësimore” (1967); “Metodat e të nxënit”; “Një kolektiv që lufton për përsosjen e metodave mësimore” (1968); “Nga përvoja jonë për revolucionarizimin e metodave të mësimit” (1972); “Mundësitë e parandalimit të rënies së ritmit të të nxënit tek nxënësit në disa faza të caktuara të vitit shkollor” (1982); “Diskutimi si metodë arsimore” (1986); “Didaktika dhe Metodat e të Mësuarit ”; “Si mund të mësohet në mënyrë aktive dhe krijuese” (1999), “Pedagogjia” tekt mësimor për shkollat e larta – me grup autorësh (1985), “Drejt vetëmësimit dhe vetëformimit intelektual permanent (2003); “Filozofia e Gjergj Fishtës për arsimin” (2007) etj. Gjithashtu Profesor Vuji ka lënë në dorëshkrim, një arkiv të pasur të punës së tij kërkimire dhe shkencore si dhe atë të krijimtarisë .

Vlerësimet  dhe  titujt  shkencor…

Për punën e kryer në shërbim të misionit të madh të dijes, Mark Vuji ka marrë një sërë vlerësimesh dhe konkretisht: Distiktivin “Mësues i Dalluar” si dhe disa medalje; titullin “Mësues i Merituar” (1969) me dekret Nr. 4580 datë 20.11.1969; titullin “Mësues i Popullit” me motivacionin: “Për meritat në fushën e arsimit dhe edukimit të brezit të ri” me dekret Nr. 6224, datë 29.09.1980; “Qytetar Nderi” i bashkisë Lezhë, me vendimin Nr. 29.03.2001.

Në vitin ‘1982 mbron dhe fiton gradën shkencore “Kandidat i shkencave”; në vitin ‘1988 merr titullin “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor” dhe në vitin ‘2001 titullin “Profesor i asocuar”.

Kush më shumë se Profesor Mark Vuji është i lidhur me arsimin në Lezhë dhe sidomos me gjimnazin e këtij qyteti, si mësues i parë kur ai hapi dyert (Shtator 1957) për të vijuar më pas si mësues dhe drejtor i këtij gjimnazi për mëse tre dekadada derisa doli në pensin. Një rast unikal ndoshta jo vetëm për Lezhën!

Tash e tutje gjimnazi i Lezhës duhet të mbajë emrin e Mark Vujit…

Do të ishte e udhës dhe në nderin e tij, që Këshilli i Bashkisë Lezhë, i dalë nga zgjedhjet lokale të 21 Qershorit të këtij viti, ta vendoste në axhendën e tij vendim marrjen për ti dhënë emrin e Mark Vujit, gjimnazit të këtij qyteti. Me vendosjen e emrit të Mark Vujit, këtij institucioni të dijes do ti kthehej identiteteti i tij dhe do ta personifikonte atë, me misionin e brezave të misionarëve të dijes mësimdhënës dhe mësimnxënës, personifikim i të cilëve është padyshim, i madhi i arsimit në Lezhë dhe jo vetëm, Pr. As. Doktor Mark Vuji. Emri i të cilit do ti bëj nder jo vetëm gjimnazit të këtij qyteti, por Lezhës dhe më gjërë, por sidomos plejadave të ish nxënëseve dhe nxënësëve, ayre aktualë dhe brezave të ardhshëm, së bashku me stafet pedagogjike të tyre ndër vite, të cilët do të ndjehen krenarë me emrin e Mark Vujit, të këtij misionari të madh të dijes, i cili ka kontribuar për mëse gjashtë dekada në arsimin shqip, duke dhënë mesazhin se arsimi dhe dija nuk njohin moshë. Do të ishte në nderin e Këshillit të Bashkisë së Lezhës të bëhej pjesë e dëgjesës së këtij apeli!  

 

SHKARKO APP