Arrin në 15 numri i viktimave. Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin infektiv

Dy pacientë kanë ndërruar jetë në spitalin infektiv, të konfirmuar me COVID-19. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë pacienti 77-vjeçar I. B., nga Kavaja, i konfirmuar me COVID-19 po trajtohej prej 2 javësh në spitalin infektiv, teksa ndërroi jetë në mënyrë të papritur nga një infarkt miokardi. 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje: Diabet mellitus, insuficience renale kronike dhe insuficiencë kardiake.
Ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme edhe pacienti R. P 69-vjeç nga Hasi, i konfirmuar me COVID-19, i cili është trajtuar prej 8 ditësh në spitalin Infektiv ndërsa prej 3 ditësh gjendja e tij ishte rënduar dhe ishte në respiracion të drejtuar (i intubuar). Pacienti R. P ka qenë në gjendje të rëndë shëndesore gjatë gjithë kohës dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojnë.
“Shkon në 15 numri i qytetarëve që kanë humbur jetën me COVID-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19”,-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19. Gjithsej në Shqipëri janë regjistruar 243 raste me koronavirus.

Aktualisht, në shërbimin infektiv aktualisht janë 75 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” është një pacient i shtruar.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, Mirditë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 129 raste

– Durrës 26 raste

– Lushnje 4 raste

– Elbasan 5 raste

– Fier 23 raste

– Kavajë 4 raste

– Rrogozhinë 2 raste

– Korçë 15 raste

– Vlorë 5 raste

– Shkodër 8 raste

– Lezhë 5 raste

– Berat 1 rast

– Has 2 raste

– Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

– Pukë 3 raste

– Mirditë 2 raste

SHKARKO APP