Ndërtimet pa leje në Theth, ministri Manja: Prokuroria e Shkodrës duhet të japë llogari
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar ashpër pas vendimit të prokurores Elsa Gjeli për të mos ndjekur penalisht çështjen e ndërtimit të një parku turistik pa leje në Theth. Në një deklaratë publike, Manja njoftoi se ka kërkuar zyrtarisht nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurores, duke e cilësuar vendimin si një shkelje të rëndë të ligjit dhe detyrës.
“Si Ministër i Drejtësisë, bazuar në kompetencat që më jep ligji, kam kërkuar zyrtarisht dje nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mos-ushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit që ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një parku turistik në zemër të Thethit,” – deklaroi Manja.
Sipas tij, prokurorja Gjeli nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor përpara vendimit për mosfillimin e procedimit penal, çka përbën, sipas ministrit, një cenim të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të ligjshmërisë.
“Duke analizuar vendimin e mosfillimit, dhe duke e ballafaquar me Kushtetutën dhe ligjin, mendojmë se ai bie ndesh me parimin e ligjshmërisë”, – shtoi ai.
Ministri Manja theksoi se ky veprim dëmton besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe përbën një goditje për vetë thelbin e Reformës në Drejtësi.
KOHA JONË SONDAZH

