Ndërtimi i TEC-it në Roskovec, ministri Balla: Zero risk për mjedisin, ka impakt strategjik dhe ekonomik

Ministri i Brendshëm, dhe drejtues politik i PS në qarkun Fier, Taulant  Balla duke iu përgjigjur shqetësimit të banorëve, tha se ndërtimi i TEC-it në Roskovec nuk do të ketë asnjë impakt mjedisor në zonë.

Për të ndërtimi i TEC-it i jep një rol të rëndësishëm Roskovecit dhe qarkut të Fierit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel rajonal. Balla shtoi më tej se projekti ka impakt të rëndësishëm strategjik dhe ekonomik dhe nuk dëmton mjedisin.

”Do doja t’i bëja thirrje qytetarëve dhe t’i garantoja se nuk ka asnjë lloj ekspozimi, në kuptimin e të ndonjë risku, që ka të bëjë me mjedisin, sepse në shumë vende të botës, kudo ku kalojnë gazsjellësit, është mundësi reale për të krijuar njësi të prodhimit të energjisë elektrike, të bazuar në gaz.

Dua t’i garantoj banorëve të Roskovecit se bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm strategjik, me zero rrezik ndotjeje mjedisore, por që i jep bashkisë, popullit të zonës, të ardhura shtesë të cilat do të përdoren për të zhvilluar infrastrukturën e zonës dhe për të rritur numrin e vendeve të punës”, përfundoi Balla.

SHKARKO APP