Ndërtimi në Shqipëri portë e hapur për pastrimin e parave
49.7 miliardë lekë apo rreth 407.6 milionë euro është vlera e përafërt e lejeve të miratuara për ndërtesa të reja dhe punimeve inxhinierike vetëm për periudhën janar-qershor. Për ekspertin e Zef Preçi, ky boom lejesh të reja më shumë se me plotësimin e kërkesës konsumatore, lidhet me pastrimin e parave informale pasi sipas tij ndërtimi është sektori me riskun më të lartë në këtë drejtim, veç të ardhurave që sjellin për bashkitë.
“Lejet e ndërtimit që janë një kanal përmes të cilit burime informale dhe kriminale përfshihen në sistem për legjitimimin e tyre, duke krijuar deformacione në tregje. Kjo ndodh jo se nuk dihet, por sepse ka pleksje të interesave. Dikush kërkon kompensim për kontributet në fushatë, dikush investon për të ruajtur statusin e tij dhe për të mos u ndëshkuar nga organet ligjzbatuese. Mungon zbardhja, mungon veprimi i agjencive shtetërore dhe në thelb ky është një lloj tolerimi që mund të ndihmojë qeverinë për të filluar programin e saj qeverisës, mund të gjenerojë të ardhura, por në thelb nxit polarizimin e shoqërisë ku i pasuri bëhet më i pasur, i varfëri më i varfër dhe krijon deformacione te konkurrenca”, tha Zef Preçi, ekspert për ekonominë.
Sipas Preçit, rreziqet që vijnë nga mosgjurmimi i parave informale që kanalizohen në segmente të caktuara të sektorit të ndërtimit janë shumë më të mëdha se sa përfitimet momentale.
“Sistemi bankar ndodhet në një presion të rritur për t’u përfshirë në procesin e pastrimit të parave dhe ka indicie se ky sektor po përfshihet në këtë proces dhe në të njëjtën kohë ka një tendencë që sektori bankar të financojë apo bashkëfinancojë projekte të rëndësishme me PPP apo projekte në ndërtim, gjë që rrit rreziqet për periudhat e mëvonshme”, tha Preçi.
Shqipëria ka bërë hapa prapa duke u futur sërish në listën gri të MoneyVal për mangësitë në luftën kundër pastrimit të parave, teksa ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme evidentohen si sektorët më me risk. Sipas raportit Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Kufitar, ku merr në analizë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, rreth 141 kompani në këto vende që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa mbi 6 kate për periudhën 2017-2019, nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar këto investime. /Top Channel/