“Ndërtuam 43 shkolla të reja”, Veliaj tregon investimet për shkollat, kopshtet dhe çerdhet në mandatin e ardhshëm

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se në total në këto 8 vite janë ndërtuar 43 shkolla të reja, numër që do të rritet sërish mandatin e ardhshëm. Duke folur për ‘Top News’, Veliaj tha se në kohën kur bashkia drejtohej nga Saliu, Meta dhe Basha, nuk u ndërtua asnjë shkollë e re.

“Sa i përket vërejtjeve, sigurisht që kur ke qenë në Bashkinë e Tiranës në kohën e Saliut, Ilir Metës, Bashës dhe gjithë këtyre personazheve në koalicionin PD-LSI për Bashkinë e Tiranës në 2011, dhe nuk ke ndërtuar asnjë shkollë – nuk e them për batutë, por nuk u ndërtua asnjë shkollë në ato katër vite – sigurisht që e ke shumë të lehtë të bësh kritikuesin për skuadrën që ka ndërtuar 43 shkolla. Të thuash që në Tiranë nuk është ndërtuar asnjë shkollë, i bie që s’ke kaluar nga rruga e Barrikadave për të parë “Sami Frashërin”, nga rruga e Elbasanit për të parë shkollën ‘Kosova’, nga Selvia për të parë shkollën e re ‘Partizani’, në “Don Bosko” për të parë “Vaçe Zelën” e “Kristo Frashërin”, tek Fresku për të parë shkollën “Luan Hajdaraga” e “Klodian Tanushi”, nuk ke kaluar në një pjesë të madhe të fshatrave të Tiranës, ku vetëm në Pezë ne kemi 4 shkolla të reja dhe në total 43 shkolla”, deklaroi ai.

Veliaj u shpreh se investimet për institucione të reja arsimore nuk kanë përfunduar, por do të vijojnë me shumë të tjera. “A ka nevojë që të bëjmë më shumë shkolla? Patjetër! Ne kemi edhe një lot të fundit për të kompletuar të gjithë panoramën e Tiranës me shkolla të reja dhe ky lot i fundit ka dy shkolla: një te rreth rrotullimi i Saukut, dhe në anën tjetër, te ish-parkingu i Policisë Ushtarake, ku sot është oborri i Akademisë së Policisë. Çifti tjetër i shkollave është te lagjja 13: Një është pranë Kopshtit Botanik, në një pronë të Bashkisë së Tiranës, 9-vjeçare dhe parashkollor; ndërkohë, po për atë lagje, te zona e Parkut Olimpik, është shkolla e mesme “Dritëro Agolli”. Loti tjetër është për një shkollë të re tek Astiri, dhe një në Yzberisht”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se në total do të jenë mbi 50 shkolla të reja. “Në total në Tiranë do jenë mbi 50 shkolla të reja: “Bashkim Fino” tek “Qytet Studenti”, “Lasgush Poradeci” e jashtëzakonshme në Kombinat, “Betim Muço” po ashtu në Kombinat, “Musine Kokalari” sërish në Kombinat. Dua t’ju kujtoj këtyre kritikëve, edhe e keqja nuk ka fund – kemi kaluar jo vetëm 4 vite të gjumit, por edhe 4 vite të rrënimit, kur koalicioni PD-LSI drejtonte Tiranën, ndaj edhe unë besoj se të gjithë duam të ecim përpara. Sigurisht oreksi vjen duke ngrënë dhe ne i kemi përveshur mëngët që në mandatin e 3-të të bëjmë akoma më shumë punë të ngjashme”, tha ai.

SHKARKO APP