Ndërtuan e prenë dru pa leje, 63 të arrestuar e proceduar

Në një javë policia dërgon për ndjekje penale 63 qytetarë në të gjithë vendin. Numrin më të madh të procedimeve me 50 të tillë e zë akuza e ndërtimeve pa leje. Në fokus edhe personat që presin dru dhe ushtrojnë aktivitet pa licencë në bar-loto.  

Policia e Shtetit në një javë procedon 50 raste të ndërtimeve pa leje, ku katër janë arrestuar në kushtet e flagrancës, 36 ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa dhjetë të tjerë u shpallën në kërkim. Mes të arrestuarve janë edhe shtetas që kanë tentuar të kryejnë ndonjë suva të jashtme të mureve.

Por “aksioni” nuk përfundon me kaq, sepse edhe ata që kanë prerë ndonjë dru në pyll nuk mbetën pa rënë në prangat e policisë.

Bëhet fjalë për shtatë raste të evidentuara, ku sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, dy persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa pesë të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Aksioni njëjavor në luftën kundër paligjshmërisë kryesisht në fushën e ndërtimeve pa leje, apo prerjen e pyjeve, nuk ka lënë pa prekur edhe një tjetër sektor.

Sipas njoftimit të policisë, edhe gjashtë individë që kishin bar-loto sportive të vogla në periferi të qyteteve, tashmë janë të proceduar dhe pasi u shoqëruan në komisariat dhe iu morën deklarimet, po ndiqen në gjendje të lirë.

Megjithatë, që të 63 qytetarëve të proceduar në një javë do iu duhet të provojnë stresin e të ndjekurit penalisht.

“Më datë 17.09.2015, u arrestua në flagrancë shtetasi B. Spahiu, 47 vjeç, banues në Tiranë, sepse në banesën e tij është konstatuar duke bërë ndërtim pa leje përkatëse. Po më datë 17.09.2015, u arrestua në flagrancë shtetasi G. Mehmeti60 vjeç, banues në Tiranë, sepse në banesën e tij është konstatuar duke bërë ndërtim pa leje përkatëse”.

Ky është njoftimi i policisë së kryeqytetit për raste e evidentuara në Tiranë, ku kanë përfunduar të arrestuar dy të zotët e banesave.

Mësohet se ata po kryenin punime në fasadën e jashtme të shtëpive, pa marrë lejen përkatëse dhe kjo u ka kushtuar shumë, pasi përveç pezullimit të ndërtimit tashmë do përgjigjen edhe për akuzën e ndërtimit të paligjshëm. Masat ekstreme janë marrë edhe për shtatë raste të tjera që lidhen me veprën penale të prerjes së druve.

Ajo që vihet re është se në të gjitha rastet e paraqitura si sukses, janë individë që u janë shmangur procedurave të marrjes së lejeve apo pagimit të taksave.

Në asnjë rast të arrestuar për prerje të paligjshme të druve nuk janë kompani të mëdha, pavarësisht se kjo kategori është edhe shfarosësja më masive e pyjeve në mbarë vendin.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se aksioni “kundër paligjshmërisë” do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe në fokus të policisë mbetet edhe çështja e prerjes pa leje të pyjeve.

Në këto raste nuk do të lihen pa u proceduar as banorë të fshatrave, të cilët mund të presin dru edhe për përdorim familjar.

Në raste të tilla duhet që drejtuesit e njësive administrative të lëshojnë leje përkatëse për prerje të druve për përdorim familjar.

Ndonëse problematika e vërtetë sipas specialistëve mbeten kompanitë e mëdha të shfrytëzimit të pyjeve, përsëri operacioni ka prekur më shumë individët.

SHKARKO APP